Media portugeze: Cristiano Ronaldo mund të ketë një përshëndetje të veçantë nga Portugalia

Futboll

Media portugeze: Cristiano Ronaldo mund të ketë një përshëndetje të veçantë nga Portugalia

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 20:40
Cristiano Ronaldo ka realizuar 146 gola në 234 paraqitje me Kombëtaren A të Portugalisë

Pavarësisht njoftimit për tërheqjen nga kombëtarja dhe tensioneve me Jorge Jesusin, ende ekziston mundësia që ylli portugez të nderohet me një ndeshje të veçantë për të shënuar karrierën e tij me fanellën e Portugalisë.

“Historia e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë mund të mos e ketë shkruar ende kapitullin e fundit.

Pavarësisht se më 5 nëntor kishte njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, sulmuesi portugez mund të ketë një ndeshje lamtumirëse, përmes së cilës do të nderohej karriera e tij me fanellën e përfaqësueses portugeze.
Kështu ka raportuar mediumi amerikan “The Athletic:, i cili ka zbuluar edhe detaje të reja rreth tensioneve mes futbollistit dhe trajnerit Jorge Jesus.

Sipas gazetës, burime pranë palëve të përfshira besojnë se ende ekziston mundësia e organizimit të një ceremonie më zyrtare për nder të Ronaldos, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të kapitenit në futbollin portugez.

Megjithatë, fillimisht duhet të kalojë pak kohë, në mënyrë që të qetësohen tensionet e krijuara gjatë javëve të fundit.

Si u krijua përplasja mes Ronaldos dhe Jorge Jesusit?

Largimi i Ronaldos nga Kombëtarja erdhi pas një periudhe të tensionuar, e cila nisi kur Jorge Jesus nuk e aktivizoi atë në fitoren ndaj Norvegjisë, ndonëse, sipas raportimeve, i kishte premtuar të paktën 30 minuta lojë.Ronaldo ishte ndier i zhgënjyer, pasi konsideronte se përzgjedhësi nuk e kishte mbajtur premtimin.

Po ashtu, nuk i kishte pëlqyer mënyra se si Jesus e kishte trajtuar publikisht këtë çështje.

Sipas “The Athletic”, të dy nuk kishin komunikuar më mes grumbullimeve të kombëtares në muajt tetor dhe nëntor.

Madje, Ronaldo përmes ndërmjetësuesve kishte sugjeruar se do të ishte më mirë të mos përfshihej në listën e të ftuarve për ndeshjet e nëntorit, në një kohë kur po spekulohej për një ndryshim të mundshëm në stolin e kombëtares.

Nga ana tjetër, Jorge Jesus ishte përgatitur ta ftonte sërish Ronaldon, gjë të cilën e kishte konfirmuar edhe vetë publikisht.

Ronaldo synon shifrën e 1.000 golave

Më 5 nëntor, një ditë para publikimit të listës së futbollistëve të ftuar, Ronaldo e kishte njoftuar presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, për vendimin e tij që t'i japë fund karrierës ndërkombëtare.

Megjithatë, burimet e cituara nga gazeta theksojnë se sulmuesi nuk kishte kërkuar asnjëherë shkarkimin e Jorge Jesusit.

Pavarësisht tensioneve, mundësia e organizimit të një ndeshjeje zyrtare lamtumirëse për Ronaldon nuk është përjashtuar.

Ndërkohë, objektivi kryesor sportiv i portugezit është arritja e shifrës prej 1.000 golave zyrtarë në karrierë.

Gjithashtu, mbetet e hapur mundësia e organizimit të një ceremonie të veçantë nderimi në nivel klubesh, ku mund të përfshiheshin ish-skuadrat e tij, Sporting Lisbona dhe Real Madridi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat