De Paul kërkohet prej kohësh nga Interi, por...

Futboll

De Paul kërkohet prej kohësh nga Interi, por...

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 18:12
De Paul kërkohet prej kohësh nga Interi, por...

Kapiteni dhe lideri i Udineses, Rodrigo De Paul kërkohet prej kohësh nga Interi, që duket se tani me miratimin edhe të trajnerit Antonio Conte, është gati ta sjellë në Milano që në janar të këtij viti, nëse do të arrijë të shesë danezin Eriksen.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, De Paul pranoi se ëndërron të luajë në një skuadër të madhe, pasi dëshiron të garojë për objektiva madhorë dhe të dëgjojë himnin e Ligës së Kampionëve, por pranoi se nuk ka ndërmend të largohet me sforcim nga Udine.

“Dua gjithmonë më shumë nga vetja dhe mendoj se duhet të jetë e jashtëzakonshme ideja e të luajturit në çerekfinale apo gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Jam i sigurt që një ditë do të luaj në këto nivele, pasi nëse punon mirë çdo ditë, vijnë edhe rezultatet. Megjithatë dua që kur te kem këtë shans, të jem i përgatitur dhe nuk do të largohem me sforcim nga Udinese, por vetëm kur të jetë momenti i duhur”, u shpreh De Paul.

Mesfushori 26-vjeçar, që në fillim luante si fantazist, tani është përshtatur edhe si mesfushor në skemën 3-5-2 që përdor Udinese, por ka luajtur edhe para mbrojtjes te Argjentina, ku zbulon se ka një raport shumë të mirë me kapitenin Lionel Messi.

“Messi më bën gjithmonë komplimente kur shënoj gola. Më ka bërë të rritem shumë në aspektin mental dhe më shtyn të kërkoj gjithmonë e më shumë e të mos kënaqem asnjëherë me atë që arrij”, tha mesfushori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat