'Milani pa limite', flet Gazdis

Futboll

'Milani pa limite', flet Gazdis

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 11:09
Ivan Gazidis

Milani i gëzohet një viti 2020 fantastik, që u mbyll edhe me kuqezinjtë në krye të renditjes, ndërsa administratori i deleguar i skuadrës, Ivan Gazidis ka folur me superlativa për paraqitjen e ekipit milanez.

Në një intervistë për mediat italiane, Gazidis nuk ka preferuar të vendosë limite apo objektiva, teksa nuk i ka kursyer elozhet për trajnerin Stefano Pioli dhe ka sqaruar të ardhmen e Zlatan Ibrahimovic, që përtej 39 viteve mbi supe, vijon të shfaqet si protagonist sa herë që zbret në fushë.

Ecuria – Po bëjmë një punë të jashtëzakonshme dhe djemtë japin të gjithë maksimumin. Në këto momente do të ishte e padrejtë të flisnim për objektiva, pasi sezoni është ende i gjatë dhe ne jemi në një rrugëtim rritjeje. Duam të mos u vendosim limite ëndrrave të futbollistëve dhe tifozëve, ndaj shpresojmë të vazhdojmë kështu, duke u argëtuar dhe duke fituar.

Pioli – Është një njeri i jashtëzakonshëm, që ka ardhur në një moment shumë të vështirë për klubin dhe mori përsipër një sfidë shumë të vështirë. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, është se i bën gjërat në mënyrë shumë të thjeshtë. Bën që gjërat më të vështira, të duken shumë të lehta. Ka qenë i zoti të lërë mënjanë të gjithë faktorët e jashtëm dhe ne sot luajmë një futboll shumë progresist dhe inovativ, në mënyrë mjaft serioze.

Ibrahimovic – Për rinovimin nuk kemi folur ende me Ibrën, megjithatë do të jetë një vendim edhe i tij, jo vetëm i klubit. Është një person special, me motivim të jashtëzakonshëm dhe me inteligjencë, elementë këto që i japin forcë të madhe në çdo gjë që bën. Provuam ta marrim që në janar të 2019-ës, por refuzoi pasi donte të kontribuonte ende për Los Angeles Galaxy. Ai është një futbollist që rrit gjithë grupin, pasi i fton të gjithë në sfidë për të bërë më mirë dhe deri tani të gjithë shokët e ekipit e kanë pranuar sfidën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat