Dunga drejt kalimit në Japoni

Futboll

Dunga drejt kalimit në Japoni

Më: 10 janar 2021 Në ora: 11:09
Dunga drejt kalimit në Japoni

Sulmuesi Ismael Dunga u largua nga Vllaznia që në fillim të muajit dhjetor, për të rinovuar pasaportën në atdheun e tij Kenia dhe pritet të mbërrijë sërish këto ditë në Shkodër, por tani jo për të qëndruar gjatë.

Kjo pasi klubi kuqeblu ka arritur marrëveshjen me klubin japonez të Sagan Tosu, për shitjen e sulmuesit për një shifër prej 90 mijë dollarësh dhe zyrtarizimi pritet të vijë menjëherë pasi Dunga të mbërrijë në Shqipëri për të tërhequr edhe dokumentacionin e nevojshëm.

Sulmuesi 27-vjeçar iu bashkua shkodranëve në muajin gusht, pasi u la i lirë nga Tirana dhe luajti 7 ndeshje me fanellën kuqeblu, duke arritur të shënojë edhe 4 gola, ndërsa tani Vllaznia është pranë arkëtimit të një shifre jo të vogël, për vetë situatën e vështirë që po kalojnë klubet e futbollit.

Ndërkohë për të zëvendësuar Dungën, pak ditë më parë erdhi një tjetër sulmues që prishi kontratën me Tiranën, 26-vjeçari Albion Avdijaj, i cili debutoi me shkodranët, duke luajtur disa minuta në ndeshjen ndaj Teutës të premten në mbrëmje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat