Zeqiri flet për aventurën e tij te Brightoni

Futboll

Zeqiri flet për aventurën e tij te Brightoni

Më: 20 janar 2021 Në ora: 12:09
Zeqiri flet për aventurën e tij te Brightoni

Sulmuesi Andi Zeqiri po punon shumë në stërvitje për të dëshmuar se meriton një vend titullari te Brightoni, ekip që bën gara në Premier League, ka shkruar të martën “The Argus”.

Zeqiri iu bashkua ekipit anglez në tetor nga skuadra zvicerane Lausanne dhe deri më tani i ka luajtur vetëm tri ndeshje me Brightonin, dy në kampionat dhe një në Kupën FA.

Në Premier League në dy takimet, 21-vjeçari është futur nga banka e rezervistëve dhe në total ka 62 minuta lojë, derisa në kupë ishte titullar dhe luajti 63 minuta. Tani Zeqiri po punon që të jetë titullar edhe në Premier League, ndonëse ka pranuar se i është dashur pak kohë që të përshtatet me ligën e re dhe vendin e ri. Ai ka thënë se po angazhohet maksimalisht në stërvitje për t’u siguruar se është plotësisht i gatshëm kur trajneri i Brightonit, Graham Potter t’ia besoj vendin e startuesit edhe në kampionat, gjë që është shumë e rëndësishme për të.

“E di që futbolli në Angli dallon prej shteteve tjera, sepse luhet një lojë shumë e shpejtë. Kjo më ka ndihmuar që të përmirësohem shumë për shkak se prej ditës që kam ardhur kam mësuar diçka të re, si në aspektin teknik ashtu edhe atë taktik”, është shprehur Zeqiri. “E di që ende kam shumë pengesa para vetes dhe do t’i tejkaloj së shpejti. Besoj se do të jem në formën time më të mirë kur të më jepet rasti të përfshihem në ekip. Kjo edhe është sfida ime, pra që të dëshmoj se jam i gatshëm për të luajtur prej fillimit”.

Zeqiri, për t’u përshtatur sa më shpejt, nuk po punon vetëm në stërvitje. Ai është i angazhuar shumë edhe jashtë fushës pasi po e ndjek kursin për mësimin e gjuhës angleze që insiston se është shumë i rëndësishëm.

“Kam mësime të gjuhës angleze tri herë në javë nga një orë dhe kjo po më ndihmon shumë që të adaptohem sa më shpejt te Brightoni, si në fushë ashtu edhe jashtë fushës. Tash kur të tjerët po flasin gjuhën angleze, unë po jam në gjendje që t’i kuptoj ata pak a shumë. Unë nuk jam i ndrojtur të flas, kështu që po përpiqem të bëjë sa më shumë biseda me bashkëlojtarët”.

Brightoni pas 19 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit anglez, zë vendin e 16-të në klasifikim me 17 pikë të grumbulluara.

Zeqiri me skuadrën e Brightonit ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2024, kurse sezonin e shkuar ishte lojtari kryesor te Laussane, ekip që e ndihmoi të kthehet në elitën e futbollit zviceran. Ai ka shënuar 22 gola dhe ka bërë dhjetë asistime në 37 ndeshje për Laussanen në të gjitha garat. Zeqiri, po ashtu, ka edhe nëntë paraqitje dhe po aq gola për Përfaqësuesen U21 të Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat