Remzi Ejupi: T’i lënë anash interesat personale dhe teket e inatet

Futboll

Remzi Ejupi: T’i lënë anash interesat personale dhe teket e inatet

Nga: K.G. Më: 23 janar 2021 Në ora: 18:02
Remzi Ejupi: T’i lënë anash interesat personale dhe teket e inatet

Presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, iu është gëzuar trofeut të Superkupës së Kosovës. Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 3:1 ndaj kampionit në fuqi, Dritës, në finalen që u zhvillua në Antalia.

“FC Prishtina sot me merite e fitoi Superkupen e Kosovës në futboll përballë Dritës të cilën e mundi me rezultat 3:1.

Ky trofe do të vendoset ne vitrinat e klubit më të madh kosovar, por Drita meriton komplimente dhe përgëzime të mëdha për lojën e shfaqur që vjen si rrjedhojë e një organizimi të mirëfilltë të klubit me nam nga Gjilani.

Pra, sot në Turqi fitoi futbolli kosovar, i cili përmes një loje të mrekullueshme që aplikuan Prishtina dhe Drita, dëshmoi se i përket një tjetër niveli se sa ai që shihet e mendohet në Kosovë.

Një referim profesional i gjyqtarëve dhe kushtet e mira për një lojë futbolli që ofroi stadiumi turk e shfaqën fytyrën e vërtetë, të ndritur, të futbollit tonë.

Prandaj, kjo është koha e fundit kur ne, sidomos ata që e kanë marrë mbi supet e veta menaxhimin e futbollit, duhet të fillojnë të mendojnë për t’i shërbyer interesit nacional të futbollit kosovar, për t’i krijuar kushte zhvillimit dhe ngritjes se tij, e për t’i lënë anash interesat personale dhe teket e inatet e disa individëve që janë bërë barrierë e zhvillimit të futbollit tonë.

Urime nga zemra për Prishtinën, Dritën dhe gjithë futbollin e shumëvuajtur të Kosovës! E ardhmja është e jona!”, ka shkruar Ejupi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat