Teuta dhe Partizani “fërkojnë” duart!

Futboll

Teuta dhe Partizani “fërkojnë” duart!

Më: 24 janar 2021 Në ora: 20:13
Teuta dhe Partizani “fërkojnë” duart!

Pas 3 fitoreve radhazi, Vllaznia regjistroi ndalesën e parë për vitin 2021, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Kastriotit në Loro Boriçi.

Përballë një Vllaznie që donte me çdo kusht tre pikët, skuadra e Ramadan Ndreut u mbrojt mirë dhe arriti t’u merrte një pikë kryesuesve të Superiores brenda në Shkodër. Skuadra e Brdaric ishte dominuese në lojë, por çaloi në fazën sulmuese dhe sidomos në pasimin e fundit duke mos mundur këtë herë të gjejë dot rrugën e rrjetës.

Me këtë barazim skuadra shkodrane e thelloi përkohësisht në 10 pikë avantazhin ndaj dy ndjekëseve më të afërta por në rast se dueli i drejtpërdrejtë mes Teutës dhe Partizanit që do të luhet nesër në Durrës nuk mbyllet në barazim atëherë skuadra që do të fitojë do të shkojë në -7 nga shkodranët.

Për t’u përmendur edhe fakti që Kastrioti e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi në minutën e 93-të Sokol Neziri u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj brazilianit Da Silva, ndërkohë që krutanët kanë pretendimet e tyre edhe për 2 penallti të padhëna.

36 pikë për Vllazninë pas 16 javësh ndërkohë që Kastrioti mori një pikë të artë në garën për mbijetesë duke u ngjitur në kuotën e 18 të tillave, dhe duke ruajtur distancën e sigurisë nga tre vendet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat