Ndreu: Sot doja me çdo kusht fitoren

Futboll

Ndreu: Sot doja me çdo kusht fitoren

Më: 30 janar 2021 Në ora: 16:58
Ndreu: Sot doja me çdo kusht fitoren

Pasi ndali Vllazninë në Shkodër, Kastrioti ia doli të rikthehej te fitorja, pasi mposhti Bylisin me rezultatin minimal 1-0 dhe u largua ndjeshëm nga zona e ftohtë e renditjes. Trajneri Ndreu pranoi se sot kërkonte me çdo kusht fitoren, ndonëse pati rezerva për paraqitjen e të tijve.

Një ndeshje ku morët ato që kishin më shumë vlerë, 3 pikët…
Iu kam bërë të qartë lojtarëve që është momenti për të fituar ndeshjen. Sot duhej të ishim më pragmatistë dhe të kujdesshëm. Në pjesën e parë ishim konfuzë dhe nuk arritëm dot të dilnim në sulm. Vuajtëm në këtë drejtim, pasi Bardhin e mbajta në lojë thjesht si emër, sepse ishte jashtë forme nga dëmtimi. Me futjen e Dacit, gjithçka ndryshoi, pasi bëhet fjalë për një të ri me shumë energji. Ishim më kërkues, ishim më afër portës. Ishte koha për të marrë pikët dhe sot doja thjesht të fitonim 3 pikë.

Daci tregoi se meriton më shumë besim…
Kam besim te Daci është potent dhe shumë i fortë. Nuk ka pasur fat. Besoj shumë te ai, është në shijet e mija. Realizoi gol të dhunshëm që na kënaqi pa masë.

A mund të pretendojë Kastrioti diçka më shumë se mbijetesa?
Në këtë pjesë të mbetur të kampionatit padiskutim që do të vazhdojmë punën. Besoj që në ndeshjet e radhës do të kemi qetësinë për të dhënë maksimumin. Përpos 3-4 mungesave që kishim, na u shtua dhe Rezi me Bojom, të cilët i aktivizuam 10 minutat e fundit nga halli. Jam optimist që në të ardhmen, me rikthimin e 5-6 lojtarëve do të jemi shumë më mirë dhe do të dalim në lojërat tona. Jemi keq te pasimet dhe na mungon niveli. Shpresoj shumë te lojtarët që do të rikthehen.

Skuadra po rritet gjithmonë e më shumë në aspektin e grintës që tregon në fushë…
Çdo trajner ka idetë e veta, unë jam me idenë që futbolli është vrapim, nëse nuk vrapon nuk fiton dhe nuk prodhon lojë. Nuk bëhet me emra futbolli. Na janë afruar lojtarë me emra, por nuk kam dëshirë të shëtisin në fushë. Iu kam thënë lojtarëve që në fushë të jenë agresivë dhe të japin maksimumin. Kam më shumë besim te lojtarët e rinj se te ata që mezi ngrenë mbathjet. Jemi aty aty me skuadrat që kanë shpenzuar shumë më tepër. Ne jemi të angazhuar 100% për lojën. Po të rikthehen lojtarët që na mungojnë, them që do ecim mirë edhe në pjesën e mbetur të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat