Neymar: Sa kam qarë pas finales së Champions-it!

Futboll

Neymar: Sa kam qarë pas finales së Champions-it!

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 14:00
Neymar: Sa kam qarë pas finales së Champions-it!

Neymar duket se po kalon shumë mirë në Paris. Ylli brazilian, pasi ka deklaruar së fundi se dëshiron të vazhdojë të luajë me PSG, përsëri nënvizon dëshirën e tij për të mos u larguar nga “Parce des Princes”. Në deklaratat e lëshuara për mediat zyrtare të klubit, 28-vjeçari kalon nga marrëdhënia me Mbappé te fama si “maniak festash”, Champions-i dhe gjendja e tij e tanishme.

Neymar dhe Mbappé: Ne jemi si dy vëllezër

Asi brazilian përqendrohet në marrëdhëniet me shokun e tij, Mbappé: “Ne praktikisht kemi një marrëdhënie si midis vëllezërish. Unë e karikoj atë në fushë, veçanërisht i kërkoj të vrapojë, të provojë. Gjithmonë kërkoj më të mirën për të. Ai është një djalë i artë, ka një zemër të madhe”. Sipas Neymar, talenti francez është një lojtar i fortë, por edhe njeri i shkëlqyeshëm: “Ju nuk keni nevojë të flisni për cilësinë e tij si futbollist, sepse të gjithë e njohin, por jashtë fushës është i pabesueshëm. Një djalë i gëzuar dhe i gjallë, ngjason shumë me mua. Kur është i lumtur, nuk ndalet në fushë, e ndihmon shumë ekipin”.

“Festat? Sigurisht që më pëlqejnë, por nuk jam i papjekur”
Reputacioni i tij si “njeri i festave të shfrenuara” nuk e shqetëson, por braziliani shprehet se nuk është “kokë e nxehtë”: “Kjo është një temë shumë e veçantë, kujt nuk i pëlqejnë festat? Të gjithëve iu pëlqen të argëtohen, të dalin jashtë me miqtë dhe familjet e tyre. Unë e di kur mund ta bëj dhe kur nuk mundem. Përkundër asaj që njerëzit mendojnë, nuk jam i papjekur. Nëse qëndroni 100% i përqendruar vetëm te futbolli, herët a vonë do të shpërtheni”.

“Finalja e humbur në Ligën e Kampionëve? Kam qarë shumë…”
Një keqardhje e madhe mbetet finalja e Ligës së Kampionëve, e humbur ndaj Bayernit: “Ishte shumë keq. Humbja e një finaleje të kampionatit, plus një finale e Ligës së Kampionëve, ishte goxha keq. Kam vuajtur shumë, kam qarë… Sepse, me të vërtetë doja ta fitoja trofeun. Por, fatkeqësisht kësaj here nuk ia dolëm. Kemi një shans tjetër këtë sezon dhe do të provojmë gjithçka, që të kthehemi në finale, duke kërkuar një tjetër titull historik. Ishte një finale shumë e vështirë, që e humbëm. Mbetëm shumë të trishtuar, por këto gjëra ndodhin, është pjesë e futbollit”.

Neymar dhe e ardhmja në PSG
Për brazilianin është sezoni i katërt në kryeqytetin francez: “Këtu jam shumë i lumtur. Diçka ka ndryshuar. Nuk mendoj se mund të them saktësisht se çfarë, por e di se çfarë ka ndodhur. Nuk e di nëse nga unë apo për gjëra të tjera, por ndjehem mirë. Ndihem më i adaptuar, më komod me gjithçka. Jam shumë i lumtur këtu. Dua të qëndroj te PSG, shpresoj që edhe Mbappé të qëndrojë gjithashtu. Dua të vazhdoj të bëj atë që po bëj në Paris, të luaj futboll, i lumtur dhe i gëzuar”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat