Vllaznia synon kthesën

Futboll

Vllaznia synon kthesën

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 11:04
Vllaznia synon kthesën

Teuta mori fitoren e dytë radhazi në shtëpi, pasi mposhti Skënderbeun me rezultatin 2-0 dhe shkurtoi me 4 pikë diferencën me kreun, duke kaluar presionin te Vllaznia e vendit të parë, që do të presë sot Apoloninë.

Shkodranët numërojnë dy barazime e një humbje në tre ndeshjet e fundit, ndaj sot ndaj fierakëve janë “të dënuar” të fitojnë për të rikthyer qetësinë dhe besimin se mund t’ia dalin të ngrenë lart titullin kampion.

Trajner Brdariç u shfaq i qetë paraditen e djeshme në konferencën për shtyp dhe tha se skuadra ka punuar mirë për të marrë tre pikët, ndonëse do të përballet me mungesën e dy titullarëve si Herald Marku dhe Mevlan Adili.

Megjithatë sfida më interesante e javës është ajo e “Selman Stërmasit” ku Tirana do të presë Kukësin. Skuadrat kampione dhe nënkampione të sezonit të kaluar, e nisën me pretendime të mëdha edhe këtë vit, por kanë zhgënjyer totalisht dhe janë shumë larg pritshmërive.

Bardheblutë kanë gjetur disi stabilitet me Shehin në pankinë, pasi kanë marrë dy fitore radhazi dhe sot do të kërkojnë një tjetër sukses, për t’u dhënë vazhdimësi rezultateve.

Nga ana tjetër Kukësi ia ka besuar pankinën Mirel Josës, që pasi debutoi me një fitore bindëse në Korçë ndaj Skënderbeut, pa skuadrën e tij të tregohej e pafuqishme për të marrë qoftë edhe një pikë ndaj Kastriotit.

Të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 26 pikë deri në këtë pikë të kampionatit dhe janë jashtë zonës europiane të renditjes, ndaj sfida e sotme bëhet edhe më interesante, pasi 3-pikëshi vlen vërtetë shumë.

Po në orën 14:00, në stadiumin e Kamzës, Kastrioti do të presë Partizanin. “Të kuqtë” vijnë pas një fitoreje të vuajtur 1-2 në Ballsh ndaj Bylisit dhe do të kërkojnë sot një tjetër sukses për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion.

Nga ana tjetër Kastrioti ka treguar se është një skuadër shumë e fortë në fushën e vet dhe për më tepër, së fundi po bën mjaft mirë edhe në transfertë, duke qenë se Ndreu ka rikuperuar thuajse të gjithë titullarët.

Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ajo që do të luhet në stadiumin “Adush Muça” mes Bylisit dhe Laçit. Mallakastriotët janë në vendin e fundit bashkë me Skënderbeun, me nga 12 pikë secila dhe sot do të provojnë të marrin pikë për t’ë provuar të kapin të paktën vendin e 8 në renditje, që do t’u jepte mundësinë të luanin mbijetesën në Play Out.

Trajneri Dovedan shpreson në një paraqitje më të mirë të lojtarëve si Kojiç e Harba, të cilët janë afruar në merkaton e janarit, ndonëse përballë do të kenë skuadrën më në formë të momentit në Superiore, Laçin.

Kurbinasit e Shpëtim Duros kanë mposhtur të gjithë rivalët e Superiores këtë sezon, por kanë hasur vështirësi pikërisht ndaj skuadrave të fundit të renditjes, si Skënderbeu e Apolonia, ndaj sot do të provojnë të mos përsëritin të njëjtin gabim në transfertën mallakastriote.

Të 4 sfidat e mbetura të javës së 19 të Kategorisë Superiore do të startojnë sot në orën 14 dhe do të transmetohen ekskluzivisht në Supersport 2, 3, 4 dhe 5, ndërsa në Supersport 1 do të transmetohen golat dhe rastet më të mira të çdo takimi.

Nuk do të mungojë as emisioni dedikuar Superiores, “Gol pas Goli”, që do të sjellë analiza, komente e intervista të protagonistëve para dhe pas ndeshjeve të ditës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat