Shqiptari: Simeone më shpërbleu sakrificat, ja pse jam i ashpër

Futboll

Shqiptari: Simeone më shpërbleu sakrificat, ja pse jam i ashpër

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 12:05
Shqiptari: Simeone më shpërbleu sakrificat, ja pse jam i ashpër

Keidi Bare, i lindur më 28 gusht 1997, në Fier tregon se emri i tij nuk është tipik shqiptar. Për “AS.Com”, fieraku rrëfen gjithçka. Që nga emri, te largimi nga familja 11 vjeç, mundësia që 8 vjeç nuk iu realizua tek Espanjol dhe iu rikthye dhjetë vite më vonë.

Kartonët, debutimi me Simeonen, fundi prej sherrit me arbitrin. Karakteri, dhomat e zhveshjes dhe gjithçka. “Babai më tregon se periudha e vështirë mes 1997-ës në Shqipëri dhe luftës së Kosovës kanë ndikuar në karakterin tim. I ashpër? Nuk lejoj njeri të marrë gjerat e mia. As kundërshtarët topin”, tregon mesfushori i Kombëtares, shkruan panorama sport.

Keidi, çfarë prejardhjeje ka emri juaj?

Të them të drejtën, nuk e di nga vjen. Mamaja dhe gjyshja e panë në TV, u pëlqeu, dhe ma vendosën. Edhe mua më pëlqen (qesh…), është i shkurtër dhe mësohet shpejt. Ndryshe ndodh me mbiemrin, që gabojnë.

Pyetje direkte: A është lufta një virtyt që ju përshkruan më së miri?

Në jetë duhet të luftosh për t’i arritur gjërat, sepse askush nuk të dhuron asgjë. Edhe në futboll duhet të kesh përulësi. Kam luftuar shumë për të arritur ku jam sot.

Keni lindur në 1997-ën, mes rebelimit në Shqipëri që varfëroi vendin dhe luftës në Kosovë. Keni qenë i vogël, por kanë ndikuar në karakter?

Po, është e vërtetë. Babai më shpjegon se ishin kohë të vështira dhe falënderoj Zotin që janë gjallë. Babai ka qenë shumë kërkues ndaj meje që të shkoja sa më larg në futboll. Këtu jam edhe për shkak të tij.

Në 2009-ën u testuat një javë tek Espanjol. Pse nuk qëndruat?

Kam ardhur përmes Albert Stronit, ish-lojtar shqiptar nga Kompostela, Ourense dhe Merida. Qëndrova një javë në Barcelonë. Ai më mori për t’u stërvitur, por ishte e vështirë sepse isha shumë i vogël. Nuk kisha dokumentet dhe nuk mund të realizohej. Por shikoni si është jeta, të kthen gjithçka. Jam tek Espanjoli. Dikur ishte e pamundur. Kur m’u dha mundësia për të firmosur me këtë ekip, m’u kujtuan ato kohëra.

Ikët te Panathinaikos. Si u ndatë nga familja, 11-vjeç jashtë vendit?

Babai im, i cili siç ju thashë ka qenë shumë i rreptë, e kuptoi që nuk do të kisha të ardhme në Shqipëri. Greqia më dha mundësinë të rritem, edhe pse më duhej të jetoja vetëm për 4 vjet. Njësoj si tek Atletiko. I tillë është futbolli: Të vendosësh, të punosh shumë dhe të kesh në mendje qëllimin që të shkosh sa më larg. Po bëj mirë, por s’ndalem.

Keni sakrifikuar fëmijërinë dhe tani po merrni shpërblimin?

Kam sakrifikuar shumë për futbollin, e kalova fëmijërinë pa familjen dhe pa shokë, që të jem këtu ku jam sot. Nuk e dija si ishte të kesh miq. Nuk dilja për të luajtur me djem të tjerë sepse për mua gjithçka ishte topi. Kam kaluar kohë vërtet të vështira. Fatalisht, isha larg familjes në moshën 11-vjeçare, por duhet të mendoja për të ardhmen.

Tek Atletiko Madrid ishit 15 vjeç, debutuat me ekipin e Simeones në Kupë. A ishte ai momenti që e kuptuat se jeni profesionist?

Po, sepse çastet e vështira që kalova në fëmijëri dhe sakrificat më erdhën në mendje dhe thashë me vete: Ia ka vlejtur ajo që bëra. Kur debutova me Atletikon, isha shumë i lumtur.

Karriera tek Atletiko përfundoi me ndëshkim shembullor për ofendim ndaj arbitrit…

Nuk kam folur kurrë për atë temë. Nuk kam dashur sepse futbollisti gjithmonë duket si ai djali i keq në një film. Nuk kam thënë fjalët që janë shkruar, prandaj u zemërova edhe më shumë. Kjo, për faktin se ata e rritën pezullimin në 12 ndeshje. Megjithatë, ndodh. Unë nuk kam asgjë kundër askujt dhe duhet të mësoj nga gabimet e mia.

Si arrin një lojtar agresiv, që merr shumë kartonë, të përmbahet tek Espanjol?

Kam punuar shumë. Përpiqem t’i bëj gjërat mirë, që t’i shmang sa më shumë kartonët. Sidoqoftë, njerëzit duhet ta kuptojnë se në futboll duhet të jesh agresiv, por jo i dhunshëm, sepse nëse nuk je i vëmendshëm dhe të luash fort, e merr kundërshtari mundësinë. Dhe unë nuk dua të ndodhë kjo gjë! Jap 100% në stërvitje dhe ndeshje, në mënyrë që në shtëpi të kthehem me ndërgjegje të pastër.

Te Malaga, shpërthyet dhe më në fund u bashkuat me familjen…

Po, kam jetuar me ta për dy vite dhe ndihesha i plotësuar sepse familja është gjithçka për mua. Edhe ata kanë pasur periudhë të vështirë dhe më shihnin vetëm në verë. Familja më ndihmon të jem i përqendruar. Edhe në Barcelonë jetojnë me mua dhe unë dua t’i kem gjithmonë me vete, për faktin se më japin qetësi. Jam më i lumtur kur kam pranë edhe familjen time.

Keni 12 ndeshje titullar dhe jeni i pazëvendësueshëm. Jepi, na e tregoni qëllimin final që i keni vënë vetes për të arritur?

Nuk i vendos vetes kufij. Trajneri dhe shokët më kanë ndihmuar shumë. Kalova një dëmtim dhe më rikthyen në formë.

Keni reputacion në dhomat e zhveshjes dhe e bashkoni skuadrën?

Jam pjesë e një dhome zhveshjesh me disa djem të mahnitshëm, që të ndihmojnë shumë. Jo vetëm kur je mirë, por edhe kur je keq, të japin dorën, të këshillojnë dhe të thonë ‘Jepi Keidi, duhet të vazhdojmë përpara!”. Kjo është më e rëndësishmja në futboll.

Të jenë të gjithë grup dhe të ndihmosh që të tjerët të jenë bashkë, është vendimtare. Nuk e fiton dot ndeshjen një lojtar, por ekipi është si familje. Kjo tregohet në fushë dhe jashtë saj dhe na ka shërbyer shumë çdo ndeshje.

Mund të thuhet se me një pagë, ndër më të ulëtat në ekip dhe paraqitjet perfekte, do qëndroni pak tek Espanjoli?

Nuk dua të flas për këto, sepse jam shumë i përqendruar tek Espanjoli dhe dua të vazhdoj. E dua mënyrën si të gjithë më trajtojnë dhe kjo ka vlerë të jashtëzakonshme për mua. Nëse ndihesh rehat, jep më të mirën, pse të lëvizësh? Dua të vazhdoj, pa dëgjuar çfarë thonë njerëzit.

Për kuriozitet, si e keni mësuar spanjishten?

Rrugëve (qesh…). Kur erdha tek Atletiko nuk flisja asgjë. Ishte shumë e vështirë të komunikoja. Pak nga pak në dhomat e zhveshjes, mësova. Nuk e flas si spanjollët, por di ta mbroj veten (qesh…).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat