Humbja ndaj Torinos trondit pankinën e Di Francescos

Futboll

Humbja ndaj Torinos trondit pankinën e Di Francescos

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 11:56
Humbja ndaj Torinos trondit pankinën e Di Francescos

Pavarësisht rinovimit të kontratës deri në verën e 2023-shit pak ditë më parë, aventura e Eusebio Di Francescos në pankinën e Cagliarit mund të përfundojë shumë më herët, ndoshta që këtë fundjavë.

Fatale për të ardhmen e trajnerit ka qenë humbja e djeshme me rezultatin minimal 0-1 ndaj Torinos, që mban akoma Cagliarin në zonën e rënies nga elita e futbollit italian dhe zhyt skuadrën në një krizë të thellë rezultatesh.

Skuadra sarde ka humbur 9 nga 10 ndeshjet e fundit dhe nuk fiton prej 16 javësh, ndërsa aktualisht ka grumbulluar vetëm 15 pikë dhe ndodhet në vendin e tretë nga fundi, që e çon direkt një Serinë B.

Nervozizmi i Nainggolan, lotët e Simeones dhe reagimi i Pavolettit, që nuk u besonte syve kur në vend të argjentinasit u aktivizua Cerri e jo ai, janë dëshmi të qarta që ambienti në Sardenjë nuk është aspak i qetë dhe tani rënia rrezikohet seriozisht.

Presidenti i Cagliarit, Tommaso Giulini nuk ka folur ende pas ndeshjes me Torinon, por burime për mediat italiane konfirmojnë se tashmë është vendosur të shkarkohet Di Francesco dhe po mendohet për pasuesin e tij.

Emri i parë në listë është ai i ish trajnerit të Spalit, Leonardo Semplici, i cili paraqet një zgjidhje “low-cost” deri në fund të sezonit, megjithatë po merren në konsideratë edhe emra si Montella e Mazzarri, të cilët janë aktualisht të papunë.

Nga ana tjetër duket e pabesueshme rrjedha që ka marrë karriera e Di Francescos, i cili dy vite më parë luante në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve me Romën dhe tani ka humbur 20 nga 30 ndeshjet e fundit në Serinë A, në pankinat e Sampdorias e Cagliarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat