Tirana kërkon vazhdimësinë

Futboll

Tirana kërkon vazhdimësinë

Më: 7 mars 2021 Në ora: 11:47
Tirana kërkon vazhdimësinë

Kategoria Superiore do të vijë sot me tre nga ndeshjet e javës së 23-të, teksa i veçantë është fakti që pas kryesimit që nga java e parë, Vllaznia mund të parakalohet të paktën përkohësisht nga Teuta e Partizani sot.

Kështu durrsakët i pret një transfertë e vështirë si ajo ndaj Bylisit, një skuadër që vuajti probleme të shumta në gjysmën e parë të sezonit, por që tani ka reaguar mirë dhe ka rihapur shpresat për mbijetesë.

Teuta ka bërë mjaft mirë në javët e fundit dhe triumfi 1-0 ndaj Vllaznisë në mesjavë i ka çuar në kuotën e 40 pikëve, vetëm një pikë larg kreut, ndaj me një fitore sot do të ngjiteshin në vendin e parë.

Po në orën 13:00 një tjetër sfidë interesante do të jetë ajo që do të luhet në stadiumin e Kamzës mes Kastriotit e Tiranës. Bardheblutë vijnë pas dy fitoresh radhazi dhe do të kërkojnë të ruajnë ecurinë pozitive, për të provuar arritjen e një vendi në zonën europiane të renditjes, por më parë duhet të marrin tre pikët sot ndaj Kastriotit, që ka treguar se është një “kockë e fortë” që mund t’i hapë punë kujtdo.

Për më tepër krutanët vijnë pa presionin e pikëve, pasi vetëm matematikisht nuk e kanë siguruar ende mbijetesën dhe mund të përfitojnë maksimalisht nga ky avantazh, për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Në orën 16:00 vëmendja do të zhvendoset në “Elbasan Arena”, ku Partizani do të përballet me Skënderbeun. Ilir Daja do të gjejë përballë të shkuarën e tij, skuadrën me të cilën ka bërë historinë, por që sot ka mundësi t’i japë një tjetër goditje dhe ta çojë edhe më afër rënies në Kategorinë e Parë.

Pas barazimit ndaj Apolonisë tri ditë më parë, “të kuqtë” janë të dënuar të fitojnë, për të provuar të marrim kryesimin e kampionatit, aq më tepër që gara për zonën europiane të renditjes është bërë vërtetë e ashpër.

Nga ana tjetër korçarët janë në kuotën e 13 pikëve në vendin e fundit dhe zonën Play Out e kanë 5 pikë larg, ndaj një tjetër humbje sot do t’ua shuante shpresat për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar.

Të tre sfidat e sotme do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar Superiores, “Gol pas Goli” që do të përcjellë analiza, komente dhe intervista me protagonistët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat