Së pari Suedia, pastaj vjen Spanja...

Futboll

Së pari Suedia, pastaj vjen Spanja...

Më: 10 mars 2021 Në ora: 12:36
Besim Kajtazi

Besim Kajtazi, gazetari i pavarur sportiv, ka bërë një analizë interesante e të gjatë në lidhje me ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.  

"Para ndeshjes së parë kualifikuese për Botërorin futbollit “Katari 2022”, përfaqësuesja e Kosovës do të ndeshet më 24 mars kundër Suedisë, kurse një javë më vonë, përkatësisht më 31 mars, në Sevilë të Spanjës, skuadra përfaqësuese e Spanjës e pret Kosovën, ndeshje kjo e cila tashmë ka trazuar goxha shumë opinionin sportdashës, sidomos atë spanjoll dhe mediet e tyre, të cilat tashmë kanë nisur trysninë mediale ndaj “Dardanëve”, duke promovuar lloj-lloj skenarësh të paqenë, vetëm e vetëm që të destabilizojnë para këtij takimi përfaqësuesen tonë...

Shikuar propagandën që po e shpalosin disa mediume spanjolle, nuk është që Spanja nuk ia ka frikën Kosovës, e cila në ndeshjet e kaluara diti shpesh të befasojë edhe disa kombëtare në zë.

Skenarët e paraqitur për këtë ndeshje që do të zhvillohet në Sevilë, nuk duhet të nxisin reagime të pamatura të drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Dihet edhe botërisht se Spanja nuk e ka njohur Kosovën si shtet, por kjo nuk do të thotë që ata nuk luajnë me Kosovën. Janë këto rregulla që i ka përcaktuar në statutin e saj FIFA dhe UEFA-ja, e cila sot për sot, siç thuhet është organizatë edhe më e fortë edhe se Organizata e Kombeve të Bashkuara...

Çdo shkelje e këtyre rregullave ndëshkohet rëndë nga ky institucion i latë i futbollit, e në këtë rast nuk do të ketë përjashtim as ndaj Spanjës, e cila para ndeshjes me Kosovën, po bën politikë më tepër se sa që duhet...

E lexova reagimin e drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, rreth trajtimit që po i bëhet në mediat spanjolle kësaj ndeshje dhe gati në tërësi reagimi ishte në nivel profesional, përveç një pasusi :

“Kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta si kristali dhe Spanja e dinë këtë, prandaj çka do që thuhet e shkruhet nuk i ndërron këto rregulla dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërrohen. Nëse ata duan medialisht të arsyetohen para opinionit të brendshëm është çështje e tyre, por Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet.

Pra, zhvillimi i ndeshjes as që duhet të vihet në pikëpyetje. Janë rregulloret ato që vendosin dhe Kosova në asnjë mënyrë nuk guxon të ndërmarrë ndonjë hap të pamatur, siç është ky, ku thuhet se “ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-së, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet”.

Së pari të presim ndeshjen e parë me Suedinë, dhe pastaj i vjen radha Spanjës, por deri atëherë duhet të përmbahemi nga “fjalët e mëdha ”, të cilat vetëm se mund t’na dëmtojnë si kombëtare dhe si shtet...

Në Spanjë udhëton Kosova si shtet, këtë e dinë edhe spanjollët, prandaj, mos të biem pre e propagandës dhe e kurtheve politike....

Në Sevilë, më 31 mars takohen Spanja dhe Kosova...", shkruan Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat