Visoka zbulon të ardhmën e tij te A&N

Futboll

Visoka zbulon të ardhmën e tij te A&N

Më: 19 mars 2021 Në ora: 20:02
Megzon Visoka

Eleminimi nga gara e Kupës së Kosovës dhe rezultatet jo shumë të mira në katër xhirot e fundit në Ligën e Parë kanë zbehur atmosferën në klubin prizrenas A&N. Pikërisht për këtë arsye, trajneri i kësaj skuadre Megzon Visoka planifikon të ofrojë dorëheqje për të reflektuar në lidhje me gjendjen aktuale.

Visoka, i cili e kishte marrë drejtimin e këtij klubi në fundin e stinorit vjeshtor të kampionatit, kishte regjistruar rezultate fantastike dhe ishte në rrugë të mirë për të vazhduar rrugëtimin drejt Superligës.

Megjithatë, gjërat morën tatëpjetzën që nga disfata ndaj Dukagjinit në shtëpi (1-0) dhe ajo ndaj Istogut në udhëtim (3-2), për të ardhur më pas edhe dy barazime të tjera në shtëpi ndaj Lirisë (1-1) dhe Drenasit (0-0).

Tekniku kryeqytetas pritet të takohet me drejtuesit e klubit të shtunën më 20 mars dhe ta prezantojë dorëheqjen e tij.

I kontaktuar,  ai ka deklaruar shkurtimisht se do të mbajë takim me drejtuesit e klubit dhe do të vendosin për të ardhmen.

“Kjo situatë kërkon reflektim. Jam i vetëdishëm për rezultatet e fundit ndaj do të diskutojmë me drejtuesit e klubit në lidhje me të ardhmen”, deklaroi Visoka.

A&N është njëri ndër klubet më të organizuara në Ligën e Parë, teksa objektivat janë gjithnjë maksimale.

Përpara se të merrte drejtimin e A&N, Visoka drejtoi edhe ekipin e Vitisë në Grupin B, ekip me të cilin ishte në kreun e klasifikimit dhe po marshonte drejt inkuadrimit në Superligë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat