‘Skifterat’ i dërgojnë letër MKRS-së

Futboll

‘Skifterat’ i dërgojnë letër MKRS-së

Më: 23 mars 2021 Në ora: 17:14
‘Skifterat’ i dërgojnë letër MKRS-së

‘Skifterat’ kanë dërguar një letër të hapur ministrit të ri te Kulturës, Rinisë dhe Sportit, menjëherë pas krijimit të qeverisë së re.

Në letrën e hapur që i kanë dërguar ministrit të ri, kanë kërkuar nga zyra e ministrisë që të nisin menjëherë punimet në stadiumin “Agim Ramadani – Katana” dhe që t’i përfundojnë punimet në një kohë sa me të shpejtë.

Letra e hapur nga Skifterat:

Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Deputetët në Kuvendin e Kosovës nga Rajoni i Anamoravës.

I nderuar ministër Hajrullah Çeku,

Ju urojmë për emërimin tuaj në këtë sektor i cili për një pjesë të konsiderueshme të popullit përbën një ndër fushat më të rëndësishme në jetë!

Na lejoni që përmes kësaj letre të paraqesim shqetësimin dhe nevojën për shqyrtim emergjent të kërkesës tonë duke marrë parasysh zotimet tuaja se do të qëndroni në nivel të detyrës karshi qytetarëve, prandaj:

Kërkojmë nga zyra juaj intervenim të menjëhershëm dhe planifikim për realizim në kohë rekorde të projektit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan, Agim Ramadani – Katana, një projekt i zvarritur, inaugurimi i punimeve për të cilin është bërë në vitin 2017, nga i ndjeri Fadil Vokrri!

Gjendja e stadiumit është e mjerueshme, dhe si e tillë paraqet turpin më të madh në infrastrukturën sportive në Kosovë.

Një qytet që jeton me futbollin, që punon me gjenerata të tëra dhe kultivon ndeshjen më të ndjekur në vend për disa dekada, një shembull i cili u përdor si avokuesi më i mirë për antarësim të Kosovës në organizatat dhe shtëpitë më të mëdha ndërkombtare të futbollit, në vitin 2021 nuk gëzon një arenë me kushte elementare për zhvillimin dhe ndjekjen e ndeshjeve futbollistike.

Shpresojmë se do të ndërmerrni hapat e nevojshëm për ecurinë e duhur të realizimit të punimeve dhe përfundimit të projektit! Falemnderit.

Të nderuar deputetë të kësaj legjislature nga Rajoni i Anamoravës,
Rëndësia e stadiumit në qytetin tonë është e njohur më së miri për juve si banorë të kësaj ane, të cilët keni përjetuar nga afër emocionet dhe vështirësitë në stadiumin e vjetër, prandaj:

Presim nga ju që të ushtroni të drejtën tuaj parlamentare për të ngritur në nivel prioritetesh të investimeve kapitale përfundimit e stadiumit tonë.

Është obligim qytetarë dhe moral si përfaqësues në Kuvend që këtë çështje ta shtyni përpara duke i dhënë vëmendjen e nevojshme në dikasteret sportive në qeveri, falemnderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat