Kushta: Kurrë kaq i emocionuar

Futboll

Kushta: Kurrë kaq i emocionuar

Më: 1 prill 2021 Në ora: 22:03
Kushta: Kurrë kaq i emocionuar

Sokol Kushta shpallet “Qytetar Nderi i Vlorës”. Këshilli Bashkiak është mbledhur dje dhe ka vlerësuar legjendën e futbollit vlonjat me motivacionin:

“Për mjeshtri të lartë sportive dhe kontribut të madh në ngritjen në majat më të lara të klubit sportiv Flamurtari dhe ekipit tonë kombëtar duke u kthyer në emblemë dhe shembull frymëzimi për sportistët dhe brezat e rinj”.

VLERËSIMET – Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Migena Balla, tha se Sokol Kushta i ka bërë krenarë të gjithë. “Ky projektvendim na bën krenarë të gjithëve pasi Kushtën e kemi edhe pjesë të Këshillit Bashkiak përpos që na ka bërë krenarë edhe për kontributin që ka dhënë ndër vite për përfaqësimin e Vlorës dhe Shqipërisë”, tha Balla. Këshilltari Arben Meksi u shpreh: “Jam një njohës i mirë i familjes së madhe Kushta.

De facto, Sokoli e ka marrë me kohë këtë çmim, pasi janë pika referimi disa personazhe në qytet që shërbejnë si semafor. Kur i kujton ata ose do ndalosh, ose do mendohesh. Sokoli është një nga këta semaforë të qytetit. Sokoli i ka dhënë shumë qytetit. Në radhë të parë i kanë dhënë të parët e tij që Sokoli është bërë aq i mirë”, tha ai. Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, e cilësoi Kushtën emblematik. “Kushta është një sportist emblemantik për Vlorën dhe Shqipërinë. Është një personalitet në botën e futbollit që e njeh mirë jo vetëm Vlora. Në kujtesën e vlonjatëve do të mbetet një simbol dhe një yll për futbollin”, tha ai.

KRYEBASHKIAKU – Dritan Leli theksoi se për Sokol Kushtën do të zhvillohet një ceremoni e posaçme. “Unë do kursej fjalët sot, pasi do t’i kem të përgatitura kur të bëjmë ceremoninë e dhënies së titullit. Shpresoj që të përmirësohet situata nga pandemia dhe ta bëjmë ashtu siç Sokolit i takon, me grupin e njerëzve që e duan dhe qytetarët e Vlorës e vlerësojnë kaq shumë”, tha kryebashkiaku.

KUSHTA – Legjenda Sokol Kushta tha se emocionet janë të mëdha, ndërsa paralajmëroi se koha do ta tregojë dobinë e tij. “Emocionet janë të mëdha. Unë zakonisht jam një njeri jo emocional. Unë falënderoj të gjithë njerëzit edhe ata që nuk jetojnë sot, që kanë ndikuar shumë pozitivisht te karakteri im. Them se duhet të bëj akoma më shumë për qytetin dhe për njerëzit që më respektojnë. Koha do ta tregojë sa i dobishëm do jem”, përfundoi Kushta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat