Daja: Barazimet e shumta qëndrojnë

Futboll

Daja: Barazimet e shumta qëndrojnë

Më: 3 prill 2021 Në ora: 18:32
Daja: Barazimet e shumta qëndrojnë

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shfaq i kënaqur me barazimin e marrë në Shkodër ndaj Vllaznisë, teksa në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” pranoi se i mungon një qendërsulmues që të dërgojë topin në rrjetë dhe të krijojë hapësira për të tjerët.

A ishte barazimi rezultati më i drejtë i këtij 90-minutëshi?

Erdhëm në Shkodër për të respektuar Vllazninë për atë që ka bërë deri tani dhe ashtu bëmë. Në pjesën e parë ishim mirë dhe duhej të kishim gjetur një gol me rastet e krijuara, për të pasur më shumë qetësi. Ndikoi pak edhe era e fortë në ndërtimin e aksioneve, ndërsa në pjesën e dytë ulëm pak ritmin, por jo kontrollin e lojës, pasi nuk rrezikuam thuajse asgjë.

Si asnjëherë më parë, keni regjistruar 11 barazime…

Teuta që mori kreun ka arritur 13 barazime këtë sezon, por ju nuk merreni me të tjerët. Ky është një sezon anormal, me intensitet të lartë dhe me kalendar të ngjeshur ndaj disa barazime më tepër qëndrojnë. Ne nuk erdhëm për barazim në Shkodër, por ky rezultat ndaj Vllaznisë qëndron dhe nuk është dramë.

Duket sikur Partizanit i mungon një sulmues goli, për të konkretizuar rastet…

Nuk janë vetëm lojtarët e sulmit, por edhe mesfushorët që duhet të shtyjnë në zonë dhe të provojnë të shënojnë. Bardhi dhe Murataj duhej të shtynin më shumë në zonë sot, por nuk e bënë mjaftueshëm këtë detyrë, megjithatë duhet të rregullojmë disi pasin e fundit, për të krijuar mundësi të pastra.

Dolët disa herë në sulm, por munguan lëvizjet për të hapur zonat. Çfarë nuk shkoi?
Është pak e vështirë, pasi të gjithë sulmuesit tanë, janë anësorë dhe nuk i njohin mirë lëvizjet e një qendërsulmuesi natyral. Sot kemi përdorur të gjithë potencialin tonë sulmues, por që na mungon një futbollist që të bëjë lëvizjet e duhura në zonën kundërshtare.

A do të bënit sërish të njëjtat zgjedhje nëse do të ktheheshit pas në janar?
Merkatoja e janarit nuk është se të ofron shumë hapësira. Ne vinim nga një merkato e bllokuar në verë, ku nuk arritëm të afronim lojtarët e piketuar, megjithatë po sakrifikojmë shumë për të bërë mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat