Partizani synon 3 pikët ndaj Bylisit

Futboll

Partizani synon 3 pikët ndaj Bylisit

Më: 11 prill 2021 Në ora: 11:20
Partizani synon 3 pikët ndaj Bylisit

E planifikuar për sot në orën 16:00, Partizani-Bylis do të jetë sfida e fundit e javës së 27 të Kategorisë Superiore, dhe njëkohësisht e fundit e fazës së tretë, para se të nisë rrugëtimi final prej 9 javësh deri në finish.

Pas një periudhe pa rezultatet e duhura dhe vetëm një fitore në 7 ndeshjet e fundit, “të kuqtë” e Ilir Dajës do të kërkojnë të marrin tre pikët ndaj mallakastriotëve, për t’u ngjitur në vendin e dytë bashkë me Vllazninë.

Hera e fundit që Partizani ka fituar, daton thuajse një muaj më parë në derbin ndaj Tiranës, ndaj sot do të kërkohet kthesa, sidomos nga reparti i sulmit, që ka përfunduar nën akuzë për finalizimin e dobët.

Trajneri i kryeqytetasve ka grupin e plotë në dispozicion dhe ka kërkuar nga të tijtë angazhim maksimal për të marrë tre pikët dhe për të qenë edhe më pranë kreut, ndonëse sfida e sotme nuk do të jetë aspak e lehtë.

Megjithatë mallakastriotët janë në një moment mjaft të mirë, pasi kanë marrë 8 pikë në 4 ndeshjet e fundit dhe duan të sigurojnë mbijetesën direkt, ndaj duan të përfitojnë maksimalisht edhe nga humbja e Kastriotit për t’iu afruar krutanëve.

“Air Albania” do të jetë impianti që do të presë sfidën e sotme, me një terren fantastik që mund të ndihmojë jo pak futbollistët teknikë të Partizanit, por sigurisht të favorizojë edhe daljet e shpejta në kundërsulm të mallakastriotëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat