Flick: Leva nuk është gati, duam yllin e pestë

Futboll

Flick: Leva nuk është gati, duam yllin e pestë

Më: 20 prill 2021 Në ora: 15:00
Flick: Leva nuk është gati, duam yllin e pestë

Bajerni i Mynihut luan sot në mbrëmje për ballë Leverkusenit në një ndeshje që vlen shumë në luftën për titull. Trajneri Hansi Flik foli në konferencën për shtyp në lidhje me sfidën dhe sigurisht komentoi ngjarjet e fundit në lidhje me Super Ligën Europiane, e cila ka futur në kaos të gjitha klubet.

Si është gjendja e skuadrës?

Alaba, Sane dhe Gorecka janë stërvitur me intensitet të plotë dhe mendoj se do të jenë në gjendje për të luajtur. Levandovski ka bërë përparësi dhe është në afër rikuperimit, por nuk mendoj se do të jetë në gjendje për të luajtur nesër (sot). Është ende shumë herët për të. Shpresojë që të jetë të shtunën ndaj Maincit. Ai na ka munguar shumë në këto javët e fundit. Dua që të jetë në fushë kur të ngremë titullin. Dua gjithashtu, që të shënojë edhe pesë gola të tjerë për të arritur rekordin e Gerd Mylerit. Kjo është shumë e rëndësishme për të dhe për skuadrën.

Do t’ju afronte fitorja ndaj Leverkusenit më pranë titullit?

Janë dhe pesë javë, tani çdo ndeshje është një hap më tej drejt titullit. Fitorja do të na afronte më shumë, kjo është e vërtetë. Skuadra është në gjendje të mirë fizikisht dhe psikologjikisht. E dimë se kemi mundësi për të fituar dhe kjo na motivon shumë. Titulli është detyrë shtëpie për ne. Ylli i pestë në fanellë, është detyra jonë. I jam shumë mirënjohës klubit për çdo gjë që ka bërë për mua. Kemi festuar shumë trofe së bashku dhe tani jemi pranë fitores së kampionatit.

Jeni penduar që keni thënë ato fjalë pas ndeshjes me Volfsburgun?

Jo aspak. E pashë të arsyeshme që t’ua komunikoja personalisht lojtarëve lajmin. U thashë që kam bërë një kërkesë për ta prishur kontratën me klubin. Nuk besoj se këtu ka ndonjë gjë që nuk shkon. Kjo është një temë që tani ka shumë pak rëndësi për mua. Kështu që do t’ju lutesha të më bëni pyetje vetëm në lidhje me fushën e lojës dhe jo për gjëra që tashmë janë thënë dhe nuk kanë më asnjë vlerë.

Çfarë mendoni për lajmet e fundit në lidhje me krijimin e Super Ligës?

Pa dyshim që për momentin kam halle të tjera sesa të mendoj për Super Ligën. Nuk jam në dijeni të të gjitha detajeve, por mund të them se mbështes qëndrimin e Bajernit dhe Dortmundit. Super Liga nuk është një gjë e mirë për futbollin.

Ku do të jetë e ardhmja juaj?

Nuk dua të komentoj asgjë për këtë temë. Momentalisht, po mendoj vetëm për ta mbyllur sa më mirë kampionatin. Jemi në një fazë delikate të sezonit ku nuk duhet të mendojmë për gjë tjetër. E ardhmja ime ka pak rëndësi për momentin. Kur të vijë koha do të ndalem më gjatë dhe ju (gazetarët) jeni të parët që do të informoheni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat