Marrëveshja FSHF-UST

Futboll

Marrëveshja FSHF-UST

Më: 27 prill 2021 Në ora: 16:58
Marrëveshja FSHF-UST

Po zhvillohet këto ditë në Tiranë kursi i video-analistit të futbollit i organizuar dhe certifikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Javën e kaluar u mbajtën leksionet dhe në 10 ditët në vazhdim pjesëmarrësit e këtij kursi do të zhvillojnë edhe praktikën individuale para se të japin provimin përfundimtar.

Të shtunën e kaluar, me rastin e ditës së fundit të leksioneve të kursit në diskutimin mbi “Analizën e të dhënave“, ishte i pranishëm edhe Zv.Rektori i Universitetit të Sportit të Tiranës, profesor Arben Kaçurri. Prania e tij ishte dëshmi e rëndësishme e bashkëpunimit që ka nisur tashmë midis Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Universitetit të Sporteve të Tiranës.

Dy institucionet po mbështesin një projekt për krijimin e një masteri në analizën dhe teknologjinë e aplikuar në sport, që pritet të marrë jetë së shpejti.

Risia e këtij masteri, është fakti që për herë të parë Universiteti i Sporteve të Tiranës do të japë mundësinë e zhvillimit të një kursi online. Me rastin e pjesëmarrjes në kursin e FSHF, Prof.Dr. Kaçurri u shpreh: “Ne kemi nënshkruar tashmë një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me Federatën e Futbollit. Kemi një plan 2-vjeçar, në shtator do të fillojë kursi 3-mujor për video-analistë, jo thjeshtë për të futbollin, por edhe për sporte të tjera dhe mbi këtë bazë po përgatitemi që vitin e ardhshëm të hapim një master dhe ne do të përpiqemi ta adaptojmë atë maksimalisht në vendin tonë, gjithmonë në bashkëpunim me FSHF-në.

Tashmë kursi i FSHF-së për video-analistë ka marrë përmasa ndërkombëtare, me pjesëmarrje nga shumë vende të botës dhe është shumë e rëndësishme që edhe masteri ynë të jetë ndërkombëtar dhe të kemi mundësi që të specializojmë këtu edhe të huaj dhe të ftojmë gjithashtu edhe specialistët më të mirë në botë, që të jenë profesorë të këtij masteri. Kjo do të bëjë që standardi i cilësisë së studentëve, që do të kryejnë këtë kurs të jetë në nivelet që prodhon Europa. Nëse shkojmë në këtë rrugë do të garantojmë që do të kemi një produkt të mirë në shumë pak vite. Ne në UST jemi angazhuar me të gjitha forcat që në harkun e një viti apo një viti e gjysmë të kalojmë nga niveli në një master profesional, sepse tregu i punës së sportit sot e kërkon shumë këtë profesion”, – tha profesor Kaçurri.

Ndërsa, udhëheqësi i këtij projekti, drejtori i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në Federatën Shqiptare të Futbollit, Alarico Rossi, tha se ky bashkëpunim është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar profesionistë të rinj. Gjithashtu, Rossi theksoi se masteri do të jetë i një niveli të lartë, duke përfitur nga eksperiencat më të mira ndërkombëtare.

“Projekti që po realizojmë me Universitetin e Sportit është një projekt që synon ta sjellë sportin shqiptar në një nivel të lartë në panoramën evropiane dhe botërore. Analiza dhe teknologjia e aplikuar në sport tani janë elemente që bëjnë diferencën në të gjitha sportet dhe të kesh mundësinë për të pasur një diplomë master për të trajnuar analistë të ardhshëm të sporteve është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar profesionistë të rinj në sportin shqiptar.

Ne jemi krenarë që jemi në gjendje të ofrojmë profesionalizmin tonë në shërbim të një institucioni kaq të rëndësishëm si Universiteti i Sportit dhe do të bëjmë çmos për të siguruar që masteri dhe kurset të jenë të nivelit më të lartë të mundshëm, duke përfituar edhe nga aftësitë e ekspertëve ndërkombëtarë”, – theksoi Alarico Rossi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat