Vidal si Ibrahimovic dikur: Klubi ku luan ai, e fiton titullin

Futboll

Vidal si Ibrahimovic dikur: Klubi ku luan ai, e fiton titullin

Më: 4 maj 2021 Në ora: 00:39
Arturo Vidal

Klubet e kanë gjetur formulën për ta fituar titullin kampional – thjesht duhet ta transferojnë Arturo Vidalin. Mesfushori i Interit ka fituar nëntë tituj në dhjetë sezonet e fundit me të gjithë klubet ku ka luajtur.

Kiliani iu bashkua Juventusit në vitin 2011 dhe që atëherë në katër sezone radhazi u shpall kampion i Serie A derisa u largua nga Bianconerët në fund të sezonit 2014/2015.

Asokohe iu bashkua Bayern Munichut për të vazhduar me tre tituj të tjerë në Bundesliga deri kur u largua në fund të edicionit 2017/2018.

Sezonin e ardhshëm (2018/2019) luajti te Barcelona, klub me të cilin e fitoi titullin e La Ligas.

Ai ishte pjesë e Blaugranëve edhe në edicionin 2019/2020, porse ky ishte sezoni i vetëm pa titull brenda një dekade (pasi titullin e fitoi Real Madridi).

Në fillim të sezonit aktual, Vidal iu bashkua Interit dhe sërish u shpall kampion i Italisë me Nerazzurrët.

Dikur një rekord të ngjashëm kishte edhe Zlatan Ibrahimovic që filloi me dy tituj në Eredivisie (2001/2002 dhe 2003/04) me Ajaxin, për të vazhduar me dy të tjerë me Juventusin në Serie A (2004/2005 dhe 2005/2006, që iu morën si pasojë e skandalit Calciopoli).

Sulmuesi legjendar iu bashkua më pas Interit duke i fituar tre tituj të tjerë në Itali (2006/2007, 2007/2008 dhe 2008/2009) dhe për një sezon (2009/2010) ishte te Barcelona ku e fitoi La Ligan.

Rikthimi në Serie A, këtë herë të Milani (2010/2011) i solli një tjetër titull kampional, derisa në sezonin pasues iu ndërpre rekordi i titujve me Rossonerët.

Nga Italia, Ibra shkoi te Paris Saint-Germaini në Francë, ku vazhdoi me katër tituj të tjerë radhazi të Ligue 1 (2012/2013, 2013/2014, 2014/2015 dhe 2015/2016).

Rrjedha e fitimit të titujve kampionalë u ndërpre kur u transferua te Manchester Unitedi në vitin 2016 (megjithëse e fitoi Kupën EFL, Community Shield dhe Ligën e Evropës) dhe pastaj te LA Galaxy në Amerikë, ndërsa u rikthye këtë sezon te Milani për të shkëlqyer edhe në moshën 39 vjeçare, megjithëse Rossonerët nuk arritën të shpalleshin kampionë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat