Grushte, rrëfehen motrat Gashi: Ja e vërteta e sherrit

Futboll

Grushte, rrëfehen motrat Gashi: Ja e vërteta e sherrit

Më: 12 maj 2021 Në ora: 22:50
Grushte, rrëfehen motrat Gashi: Ja e vërteta e sherrit

Dhuna dhe shfaqjet e shëmtuara kanë qenë tipike në futbollin mashkullor, por ja që episode të tilla, herë pas here, shfaqen edhe në futbollin e “gjinisë së brishtë” femërore, madje jo në pak raste.

Përveç të sharave, të cilat në futbollin femëror kanë një “fantazi” edhe më të shfrenuar se te meshkujt, nuk kanë munguar as sherret me grushte. Rasti më i fundit është regjistruar në ndeshjen Juban Danja-Apolonia 2-3, të zhvilluar në Barbullush të Shkodrës, ku situata ka degraduar rreth minutës së 70-të, e menaxhuar me 3 kartonë të kuq nga gjyqtarja e ndeshjes, Eglantina Pjetrushaj, i cila përjashtoi lojtaret Avullija dhe Tanushi të Juban Danjës dhe Egzona Gashit të Apolonisë. Çfarë ndodhi në Barbullush?

“Panorama Sport” sjell versionin e dy motrave Gashi të Apolonisë, Egzonës në fushë dhe Liridonës së pezulluar në tribunë, të cilat kanë qenë në unison me qëndrimin e tyre se gjithçka nisi nga vendësit, madje duke akuzuar edhe presidentin e Vllaznisë, Lazër Matija.

Dy motrat Gashi të Apolonisë deklarojnë se kam pasur një dhunë të jashtëzakonshme verbale dhe fizike ndaj tyre nga lojtaret kundërshtare, stafet e Juban Danjës dhe Vllaznisë, si dhe tifozët e shoqëruar nga prindërit e vajzave futbolliste të skuadrës veriore.

Lojtaret e skuadrës fierake pretendojnë se gjithçka është e inskenuar ndaj tyre dhe ndaj Apolonisë nga presidenti i Vllaznisë, Matija, nga presidenti i Juban Danjës, Jaku dhe nga faktorët e tjerë anti skuadrës së tyre.

EGZONA GASHI – Autore e golit të dytë të Apoloninës në këtë takim deklaron se është ndier e trysnuar, madje, sipas saj, thuajse gjatë gjithë ndeshjes. “Kam pasur presion nga të gjitha anët gjatë gjithë ndeshjes: në fushë, nga tribuna, nga tifozët, e shtuar kjo gjë sidomos pas golit që unë shënova, duke kaluar skuadrën time në avantazh.

Për shkak të besimit tonë, ne respektojmë agjërimin dhe mesazhin për paqe, mirësi dhe dashuri ndër njerëz, ndaj jam përpjekur në maksimum për të shmangur çdo përplasje, duke duruar madje edhe fyerjet e rënda në adresën time. Pasi realizova golin e dytë për ekipin tone, vendaset u ashpërsuan ndaj meje, sidomos Denada Avullija dhe Paula Jaku, e cila është e bija e presidentit të Juban Danjës, Ferdinand Jaku. U afruan dhe duke më sharë, më thanë:

‘Ty do të t’i thyejmë këmbët!’. U thashë që të më linin të qetë, se isha në agjërim dhe u largova. Në ato momente, fare papritur, në pabesi të plotë, të gjitha futbollistet e Jubanit m’u hodhën përsipër dhe filluan të më godisnin. U desh ndërhyrja e gjyqtares kryesore, e cila më mbuloi me trupin e vet dhe më shpëtoi nga grushtet dhe shkelmat e tyre, por, fatkeqësisht, ato ranë mbi trupin e gjyqtares, të cilën e falënderoj pa masë për ndërhyrjen energjike të saj.

Por, më pas, prindërit e Denada Avullijas dhe disa tifozë kaluan rrethimin dhe hynë në fushë. Babai i saj më goditi dhe më ofendoi. Shoqet e mia më rrethuan dhe po më mbanin afër, pasi kishin frikë se mos reagoja pas goditjeve, por unë u thashë: ‘Më lini, jam me agjërim dhe s’dua t’i bëj keq askujt’.

Pas ndërhyrjes së policisë në fushë, situata u qetësua disi, por ata vajtën dhe kërcënuan motrën time, e cila ishte e vetme ne tribunë. ‘Sa të mbarojë ndeshja, do e shikoni se çfarë do t’ju bëjmë’, – i kishin thënë dhe i qenë afruar ta godisnin por policia ndërhyri në moment duke shmangur sherrin dhe i nxori jashtë fushe.

– Ata nuk u ndalën me aq, por po na prisnin jashtë për të na goditur, por falënderojmë policinë, e cila na shoqëroi deri tek autobuzi i skuadrës sonë. Jemi vërtet të shokuara nga kjo ngjarje, pasi nuk i kemi bërë keq askujt. Mendojmë se incidentet në këtë ndeshje kanë qenë të planifikuara nga presidenti i Vllaznisë Lazër Matija dhe ai i Jubanit, Ferdinand Jaku, për të na dëmtuar që ne të mos luanim në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë.

LIRIDONA GASHI – Për shkak të pezullimit 6-javor nga Komisioni i Displinës, Liridona ka qenë e detyruar ta ndjekë ndeshjen në të ashtuquajturën “tribunë” të Barbullushit, por as atje nuk i ka shpëtuar dot problematikës. Ja si e rrëfen Liridona Gashi incidentin në ndeshjen kundër Juban Danjës:

“U nisa bashkë me ekipin për të mbështetur shoqet e mia në këtë ndeshje delikate. U ula në tribunën e vogël. Pranë meje ishin drejtuesit e Jubanit dhe presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija. Gjatë një driblimi të motrës sime, Egzonës, thirra me zë:

‘Bravo’, por ndërkohë disa vështrime të egra u ngulën drejt meje. ‘Mos bërtit, boll më, dhe hajde çohu, ik që këtu!’, – më foli presidenti i Vllaznisë. Ngela pa fjalë në ato momente dhe nuk dija çfarë të thosha, pasi isha e vetme. Ndërkohë, ‘mikpritësit’ tanë filluan me një fjalor të ndyrë ndaj motrës sime, madje i nxisnin vajzat e Jubanit me fjalët: ‘Goditeni atë numrin 7 (Egzonën), thyejani këmbët. Na kërcënuan edhe duke na thënë:

‘Do të përjashtoheni nga futbolli!’. Mua më vjen keq që krijohen situata të tilla në Shqipëri dhe që na bëjnë të dukemi si antisportive. Shihni të shkuarën tonë në Kosovë, asnjë karton të verdhë, le më të kuq apo pezullime, nuk kemi marrë. Ndërsa këtu… Çudi!”, – ka rrëfyer sulmuesja Liridona Gashi.

Motrat Gashi pretendojnë se shkodranët duan të dëmtojnë Apoloninë për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, për ta pasur më lehtë Vllaznia për ta fituar edhe këtë trofe. Kujtojmë që krisja ndërmjet Apolonisë dhe Vllaznisë ka nisur që në ndeshjen kur Liridona Gashi doli me karton të kuq dhe presidenti Koço Kokëdhima u fut në fushë në prill të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat