Rrëfimi i Fergusonit: Nuk mbaja kurrë shënime

Futboll

Rrëfimi i Fergusonit: Nuk mbaja kurrë shënime

Më: 13 maj 2021 Në ora: 16:39
Rrëfimi i Fergusonit: Nuk mbaja kurrë shënime

Sër Aleks Ferguson ka dhënë një intervistë për “The Guardian”, ku legjenda skoceze prek disa nga historitë e tij më të bukura të karrierës në stolin e Mançester Junajtidit. Ikona e “Djajve të Kuq” zgjedh një rival të vjetër të skuadrës së tij, Stiven Xherrardin, për t’i thurur elozhe në punën që po bën si trajner. Sot ish-kapiteni i Liverpulit është duke shijuar sukses në stolin e Rejnxhërsave, të cilët i udhëhoqi drejt titullit kampion në Skoci.

“Ai ka bërë një punë të mrekullueshme, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Në një konferencë për shtyp ti mund të humbasësh punën, por qasja e tij me mediat është fantastike. Ai është gjakftohtë dhe jep përgjigjet e duhura.

Ky është një art”, tha 79-vjeçari. Ai foli edhe për një ish-lojtar të tijin, të cilit i vlerëson shumë forcën psikologjike dhe shembull të parë merr Kristiano Ronaldon: “Ajo ishte pararoja e të gjitha metodave të mia të menaxhimit, që t’i bëja futbollistët të menaxhonin tensionin dhe sfidat e të qenit një lojtar klasi. Te Junajtid, të gjithë lojtarët më të mirë ishin të fortë psikologjikisht. Ronaldo është i fortë, sinqerisht si një palë këpucë të vjetra. Ai do të bëhej një futbollist i shkëlqyer, sepse e kishte këtu (bën me gisht në kokë)”.

Nuk mungon as një prapaskenë për atë që konsiderohet triumfi më dramatik i tij në stolin e Junajtidit, përmbysja në finalen e Champions-it kundër Bajernit të Mynihut në “Camp Nou” në 1999. Me kronometrin që shënoi minutën e 90-të, “Djajtë” po humbnin 1-0, por Tedi Sheringam barazoi në minutën e parë shtesë, përpara se Solskjaer të përmbyste gjithçka dy minuta më vonë duke i dhuruar tripletën historike Mançesterit. Por, çfarë ishte duke menduar Sër Aleks në minutën e 90-të? “Asnjë shans!

Po mendoja se çfarë do t’u thosha lojtarëve: ‘Bëtë një sezon të shkëlqyer’.

Por, pastaj e fituam”. Dy nga pasardhësit e tij në “Old Trafford”, Murinjo dhe Mojes, janë nga ata trajnerë që mbajnë shënime gjatë ndeshjes, diçka të cilën skocezi nuk e ka kuptuar kurrë: “Si trajner varesha nga kujtesa ime. Shikon ndeshje sot dhe disa trajnerë mbajnë shënime gjatë ndeshjes. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë. Mbaja gjithnjë mend dhe kur shkoja në dhomën e zhveshjes, kujtesën e kisha shumë të fortë. Ti ul kokën për të shkuar dhe mund të humbasësh një gol…”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat