Dinamo e Egnatia shpallen fitues

Futboll

Dinamo e Egnatia shpallen fitues

Më: 15 maj 2021 Në ora: 18:56
Dinamo e Egnatia shpallen fitues

Dinamo dhe Egnatia janë shpallur sot fituese të Grupit A dhe B në Kategorinë e Parë dhe sigurojnë kështu ngjitjen automatikisht në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Të dyja skuadrat kishin siguruar që një javë përpara përfundimit të sezonit vendet e para në grupet respektive.

Në ndeshjen e fundit të fazës play-off, Dinamo udhëtoi në transfertën e Burrelit në përballjen e luajtur në stadiumin “Liri Ballabani”. Ndeshja u mbyll me fitoren e ekipit të Burrelit, me rezultatin 2-1, ndërsa në fund u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut.

Zyrtari i FSHF-së, Eduard Gjini i dha Dinamos kupën e fituesit të Grupit A në Kategorinë e Parë.
Ndërsa në Grupi B, Egnatia u kurorëzua si fituese pas ndeshjes së fundit me Pogradecin, që u zhvillua në stadiumin “Shkumbini” të Peqinit. Sfida u mbyll me rezultatin 4-2 dhe në përfundim të 90-minutave u zhvillua ceremonia e organizuar nga FSHF me këtë rast.

Ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu ai që i dorëzoi trofeun e fituesit të Grupit B skuadrës së Egnatias.

Pas ndeshjeve ka ardhur edhe urimi i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili në një mesazh të publikuar në profilin e tij në Facebook shprehet se kjo arritje vjen pas një pune të madhe dhe investimeve të bëra nga të dyja klubet, që vitin e ardhshëm do të luajnë në kampionatin elitar të Shqipërisë.

“Urime Dinamo, urime Egnatia! Të dashur miq, në emër të Federatës së Futbollit dua t’i shpreh urimet më të përzemërta Dinamos dhe Egnatias për suksesin e arritur në Kategorinë e Parë, e cila u kurorëzua me ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Sukses që duhet t’ju bëjë krenar për punën e zhvilluar gjatë këtij edicioni futbollistik. Kjo arritje është e qartë që vjen pas një pune të madhe, investimi të rëndësishëm dhe sakrifice nga të gjithë lojtarët, stafet teknike dhe drejtuesit e klubeve.

Përpara keni një finale që do shpallë skuadrën kampione të Kategorisë së Parë. Festimi i kësaj arritjeje duhet t’ju japë forcë për të punuar më shumë, për të programuar në mënyrën më të mirë edicionin e ri dhe për t’u përmirësuar më shumë cilësinë sportive në të mirën e klubeve tuaja dhe gjithë futbollit shqiptar. Gjithashtu, më gëzon fakti që Dinamo dhe Egnatia kanë projekte ambicioze në infrastrukturë për të ardhmen që janë të domosdoshme për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe si projekt afatgjatë për të qëndruar në elitën e futbollit”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.

Dinamo dhe Egnatia do të përballen në finalen e madhe më 22 maj, ora 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena” për të përcaktuar edhe skuadrën kampione të Kategorisë së Parë për këtë edicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat