Apolonia dhe Tirana plotësojnë podiumin

Futboll

Apolonia dhe Tirana plotësojnë podiumin

Më: 15 maj 2021 Në ora: 18:57
Apolonia dhe Tirana plotësojnë podiumin

Java e 21-të e kampionatit të femrave është mbyllur këtë të shtunë.

Ndeshja e parë e javës nisi në ora 13:00, në Kamëz, ku Partizani kishte përballë ekipin e Bilisht Sportit, por që u ndërpre për shkak të disa problemeve shëndetësore të shfaqura nga vajzat e ekipit të Bilishtit.

Drejt Durrësit udhëtuan shkodranet e AAS, në një ndeshje mjaft emocionuese për të dyja ekipet dhe që u mbyll me fitoren 3-0 të durrsakeve, të cilat arritën të siguronin vendin e tetë në kampionat, një javë përpara fundit.

Apolonia fitoi në tavolinë derbin e Myzeqesë, ndaj Lushnjes, pasi këto të fundit nuk u paraqitën në ndeshje. Fieraket arritën kështu të sigurojnë vendin e dytë edhe për sezonin 2020-2021.

Vajzat bardheblu të Tiranës udhëtuan këtë fundjavë drejt Korçës, ku fituan me rezultatin 0-7 ndaj Skënderbeut. Kryeqytetaset zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, duke shënuar pesë gola gjatë pjesës së parë dhe dy golat e tjerë u shënuan në fraksionin e dytë të lojës. Tirana renditet e treta në klasifikim, ndërsa korçaret renditen në vendin e dhjetë.

Vllaznia mbetet ekipi i pamposhtur i gjithë sezonit, me asnjë ndeshje të humbur dhe me pikë të plota. Në qytetin verior këtë fundjavë udhëtuan vajzat e Tirana AS, të cilat nuk arritën dot të mundin ekipin kampion edhe të këtij sezoni. 10-0 u mbyll ndeshja, me Vllazninë që vijon kryesimin, ndërsa Tirana AS me këtë humbje ruan pozitat e vendit të katërt, duke përfituar edhe nga humbja e Juban Danjës.

Në Tiranë, vajzat e Juban Danjës nuk përfituan dot nga gabimi i Tirana AS. Përballë Kinostudios, shkodranet humbën me rezultatin 3-2, në një ndeshje mjaft emocionuese. Pjesa e parë foli për kryeqytetaset, të cilat shënuan dy gola me Amarda Xhebrahumin fillimisht në minutën e 22-të dhe pak minuta më vonë, Lulaj dyfishon rezultatin. Në fraksionin e dytë të lojës, Vasa e Juban Danjës shënon dopietë për shkodranet, duke barazuar rezultatin e lojës. Pak minuta para fundit të takimit, Xhebrahimi shënon golin e tretë dhe të fundit për Kinostudion, duke i dhënë fitoren ekipit kryeqytetas.

Rezultatet e javës së 21-të të kampionatit të femrave: 

Partizani – Bilisht Sport, e ndërprerë

Vllaznia 10-0 Tirana AS

Apolonia* 0-0 Lushnja

KF Teuta 3-0 AAS

Kinostudio 3-2 Juban Danja

Skëndërbeu 0-7 Tirana

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat