Bylis shpallet kampion i edicionit 2020-2021!

Futboll

Bylis shpallet kampion i edicionit 2020-2021!

Më: 25 maj 2021 Në ora: 12:54
Bylis shpallet kampion i edicionit 2020-2021!

Bylis është shpallur kampion i Kategorisë Superiore U-21 për edicionin 2020-2021, pasi u rendit i pari në përfundim të 24 javëve të luajtura. Skuadra mallakastriote mundi sot Dinamon në sfidën e fundit të sezonit me shifrat 4-0. Protagonist absolut i 90 minutave ka qenë Spahiu, i cili realizoi tre gola për Bylisin, ndërsa goli i katërt është realizuar nga Hajdëraj. 21-vjeçarët mallakastriotë grumbulluan 63 pikë, duke blinduar kreun.

Në përfundim të ndeshjes në kompleksin stërvitor “Bylis” u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut të titullit dhe medaljeve për lojtarët, me Bylisin që shkruan emrin me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar duke qenë se janë fituesit e parë të këtij kompeticioni.

Kategoria Superiore U-21 mbylli kësisoj me sukses sezonin e parë, një risi e Federatës Shqiptare të Futbollit që vendosi vitin e kaluar të merrte këtë iniciativë dhe t’i jepte jetë këtij projekti mjaft të rëndësishëm për futbollin.

Ky vendim u mor në mënyrë që lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, të kenë mundësi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve. Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve.

Në këtë kampionat morën pjesë 13 skuadra, ndërsa në vendin e dytë u rendit Laçi e në të tretin Vllaznia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat