Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, doli ditën e sotme në konferencën e zakonshme për shtyp, në krah të kapitenit Gurishta, në prag të finales së Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohet ditën e hënë në orën 19:00 në “Air Albania”.
Në prononcimin përpara gazetarëve, tekniku 46-vjeçar u shpreh:
"Është një pikë maksimale që kanë arritur lojtarët tanë, për të patur mundësinë nesër, për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të këtij kompeticioni. Padyshim nuk është vetëm pika kryesore e jetës së tyre në këto momente, por ne e dimë që duhet të jemi në maksimumin tonë, që t’i kemi mundësitë për të fituar nesër. Duhet të japim maksimumin.
Është shumë speciale që ta mbyllësh sezonin me një trofe, ne e njohim Skënderbeun. Jemi të bindur te fitorja jonë.
E dimë që kanë bërë një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë këtë e tregon edhe fakti që mbijetuan në Superiore, por edhe forma që kanë treguar përgjatë ndeshjeve që kemi luajtur. Si për mua ashtu dhe për ekipin, mjedisi është mjaft i mirë që ta luajmë këtë ndeshje dhe ta fitojmë", tha Brdariç.