Nga plazhi te triumfi në Europian

Futboll

Nga plazhi te triumfi në Europian

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 14:25
Nga plazhi te triumfi në Europian

Historia që po ju tregojmë fillon në vitin 1991, kur kualifikueset për Kampionatin Europian të Futbollit, “Suedia 1992” ishin në ritëm të plotë. Në grupin 4 ishte një kombëtare me lojtarë të fortë dhe të talentuar: Boban, Saviqeviq, Bokshiq dhe Shuker. Po flasim për ish-Jugosllavinë. Sidoqoftë, historia dhe fati deshi më shumë dikë tjetër.

Asokohe shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi. UEFA nuk mund t’i lejonte serbët të merrnin pjesë si kombëtare në atë Europian, kështu që i takoi Danimarkës (e dyta në grup) që të thirrej në fazën finale. Danezët e panë veten si Davidi kundër Goliath. Ditët e Europianit kalojnë, ndeshjet vendimtare vijnë, ndërsa Danimarka vazhdon udhëtimin befasues, falë një “saraçineske” si Peter Schmeichel.

Është 26 qershori 1992. Danimarka e gjen veten duke luajtur finalen kundër Gjermanisë. Jensen kalon nordikët në avantazh qysh në minutën e 18-të. Gjermanët mundohen shumë, por nuk mund të bënin asgjë kundër murit Schmeichel. Saktësisht, 12 minuta deri në përfundimin e finales, “Zoti i Futbollit” zbriti në fushë. Topin e merr Vilfort, driblon, godet fort, shtyllë dhe rrjetë.

Duket si film, por është realitet. Kim Vilfort është personazhi kryesor. Ai që alternoi magjinë e konkurrencës me trishtimin e jetës së tij private, teksa i dhimbte zemra nga dhimbja e vajzës së sëmurë me leucemi dhe pas çdo ndeshjeje, shkonte në shtëpi për t’u kujdesur për të. Kim shënoi për 2-0 dhe ia dorëzoi trofeun Danimarkës.

Skuadra që kishte nisur pushimet e verës, e cila u mblodh me urgjencë për të zëvendësuar ish-Jugosllavinë në “Euro 1992”, fitoi trofeun e lakmuar. Duket si përrallë, por ky është futbolli. Ky është futbolli, kjo është historia më e bukur, që vlen të kujtohet para startit të Europianit të kësaj vere...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat