Insigne ka lënë një çështje pezull në Napoli

Futboll

Insigne ka lënë një çështje pezull në Napoli

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 11:05
Insigne ka lënë një çështje pezull në Napoli

Pasi u shpall kampion Europe me Italinë, në një kompeticion ku ishte protagonist absolut me ndeshjet, golat e asistet e dhëna, Lorenzo Insigne po shijon pushimet nën shoqërinë e familjarëve të tij, megjithatë ka lënë një çështje pezull në Napoli.

Sulmuesi 30-vjeçar napolitan ka një kontratë të vlefshme deri në verën e ardhshme me klubin e drejtuar nga De Laurentiis dhe ky i fundit pret rikthimin nga pushimet, për t’u ulur në tavolinë me Insignen e për të vendosur bashkë për të ardhmen.

Mediat pranë klubit të Napolit bëjnë me dije se kontakti i fundit mes palëve ka qenë ai i presidentit De Laurentiis me menaxherin e sulmuesit, Pisacane, megjithatë nga ai takim është vërejtur një distancë e konsiderueshme mes ofertës dhe kërkesës.

Kreu i klubit napolitan, duke parë edhe dështimin për të arritur një vend në zonën Champions, ka propozuar një kontratë të vlefshme deri më 2025-ën, por me me shifra më të ulëta sesa 5 milionë eurot që futbollisti përfiton aktualisht, ndërsa vetë Insigne pretendon një rritje të pagës deri në nivelin e 6 milionë eurove në sezon.

Momentalisht negociatat janë ndërprerë, pasi De Laurentiis pret rikthimin e Inzignes nga pushimet, për të mësuar mbi planet dhe dëshirat e tij, para se të provojë ta bindë me një tjetër ofertë, megjithatë nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, nuk përjashtohet një shitje e kapitenit të Napolit që këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat