Duka: Xhaka do të bënte mirë te Roma

Futboll

Duka: Xhaka do të bënte mirë te Roma

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 10:55
Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttomercatoëeb” ku ka folur për një sërë çështjesh të ndryshme të aktualitetit në futboll. Nga finalet e kampionatit Europian, te Shqipëria e trajnerit Edy Reja, e ardhmja e futbollistit shqiptar Granit Xhaka e deri te shpërthimet e tifozëve lacialë ndaj Elseid Hysaj.

Në lidhje me Kampionatin Evropian Euro 2020, Duka tha se ishte një turne shumë cilësor, ndërsa Italia e mori me merite titullin e më të mirit të Evropës.

“Ka qenë një Europian i bukur, me shumë cilësi dhe emocione të mëdha në pothuajse të gjitha ndeshjet. Futbolli na riktheu emocione që dukeshin të largëta, stadiume të mbushura me tifozë. Mund ta them se tashmë kemi triumfuar përballë vështirësive të mëdha që të gjithë kaluam dhe po shohim dritë në fund të tunelit.”

“Pashë një Itali të bukur në të gjitha ndeshjet. Një sukses i madh për skuadrën e Mançinit, i cili pa diskutim është pritur shumë mirë edhe në Shqipëri ku ka një numër të madh tifozësh italian për shkak të dashurisë që kanë për futbollin italian, por edhe për vendin fqinj, me të cilët historikisht kemi qenë shumë të lidhur. Italia tregoi cilësi të shkëlqyera. Tregoi se ka ndryshuar dhe është përmirësuar shumë. Trajneri Mançini ka merita të mëdha, sepse i ka bërë shumë grup dhe shumë skuadër. Futbolli italian meriton nota maksimale për atë që dha në Europian. Suksesi i Italisë i përket Federatës, drejtuesve dhe lojtarëve. Krijuan një skuadër me dëshirë për të fituar. Krijuan një klimë besimi dhe gjithmonë theksonin se kjo skuadër mund të shkojë larg dhe arritën në fund një sukses të merituar.”, theksoi Duka.

“Anglia nuk e besonte se do arrinte të fitonte Kampionatin Europian edhe pse i gjithë opinioni publik dhe tifozët kishin krijuar një atmosferë që trofeu po vjen në shtëpi, por ata nuk e besonin. Belgjika kishte një skuadër të fortë, për shumë shikohej si një nga favoritet kryesore por për mua nuk ishte në listën e favoriteve.”

I pari i FSHF-së ka folur edhe rreth transferimit të Xhakës nga Arsenali te Roma duke thënë se ai do të ishte një vler e shtuar për skuadrën italiane.

“Graniti është një mesfushor i shkëlqyer, me shumë cilësi. Cilësitë e tij u konfirmuan tashmë edhe në kampionatin Europian, ku pamë paraqitje të shkëlqyera dhe një lider që dinte si të drejtonte skuadrën në momente të vështira, si në suksesin kundër Francës. Pa dyshim që do të ishte një vlerë e shtuar për Serinë A dhe për Romën, që besoj se do të zhvillojë një kampionat të mirë këtë sezon.”, tha Duka

Ai komentoi gjithashtu edhe situatën jo të mirë nëpër të mirë nëpër të cilën po kalon Elseid Hysaj pas problemeve që u shfaqën me tifozët e Lazios që erdhën si pasojë e interpretimit të këngës “Bela Ciao”.

“Është një çështje shumë serioze kjo që ka ndodhur. Elsi është një lojtar i madh dhe një djalë i shkëlqyer, që nuk e meriton aspak sulmin që i është bërë. Karakteri i tij i fortë do të jetë në gjendje të triumfojë përballë këtyre sulmeve dhe do të bëjë një sezon të madh me Lacion dhe Kombëtaren tonë. Dhuna verbale dhe ajo ideologjike nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e tij. Ato duhet të qëndrojnë gjithmonë larg futbollit.”, u shpreh Duka.

Në fund, Duka foli edhe për situatën e trajnerit Edi Reja në krye të Kombëtares së Shqipërisë.

“Me trajnerin Reja po bëjmë një punë të mirë nga të gjitha anët. Ai po ndihmon shumë jo vetëm me Kombëtaren e madhe, por edhe me ekipet Kombëtare të të rinjve, nga U-15 deri tek U-21. Dua të them se edhe me rezultatet po bëjmë mirë. Arritëm të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve, pavarësisht mungesave dhe vështirësive nga Covid-19. Në këtë rrugëtim të ri, e kemi nisur mirë, kemi 6 pikë pas tre ndeshjesh të luajtura, një kundër Anglisë në Tiranë. Duhet të theksoj faktin se shtatori është shumë i rëndësishëm për ne, sepse do të luajmë kundër Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në shtëpi.”, tha Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat