Partizani pranë goditjes së madhe

Futboll

Partizani pranë goditjes së madhe

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 12:43
Partizani pranë goditjes së madhe

Partizani pranë goditjes së madhe, drejtuesit e kuq në bisedime me mesfushorit që ka luajtur 33 ndeshje me Kombëtaren.

Migjen Basha është shumë pranë Partizanit. Ish-mesfushori i Kombëtares, në një intervistë të tij për “Panorama Sport”, pranoi se është gati të rikthehet në Shqipëri dhe të luajë në Superiore.

“Mua më duket sikur çdo vit del emri im në Shqipëri (qesh…). E vërteta është se deri këtë vit nuk ka pasur asnjëherë diçka konkrete. Po, është e vërtetë që kam biseduar me disa drejtues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Nuk di nëse deri në fund të merkatos do të ketë apo jo diçka konkrete për ta finalizuar. Ndoshta një eksperiencë në Shqipëri do të jetë e mirë. Ta shohim”, tha Basha mes të tjerash për “Panorama Sport” sa i takon të ardhmes së tij.

34-vjeçari me shumë eksperiencë ka pasur bisedime me klubin e Partizanit. Gazeta mëson se bisedimet mes tij dhe stafit drejtues të “demave” kanë qenë pozitive dhe ka pasur edhe një akord mes palëve.

Deri më tani, te Partizani ka pasur disi stepje, për shkak të moshës së mesfushorit, por trajneri Daja dhe stafi teknik pret që në ekip të afrohen edhe lojtarë me eksperiencë, të cilët mund të vijnë direkt dhe të bëjnë diferencën në formacionin startues. Gjithashtu, edhe alternativat në mesfushën e Partizanit janë të pakta dhe me mungesë eksperience. Kujtojmë se gjatë kësaj merkatoje vere, u larguan edhe emra si Broja, Hasani dhe Bardhi.

NJË EKRAN ORGANIZATOR

Sezonin e shkuar, rolin e ekranit si mesfushor para mbrojtjes e mbuloi Rron Broja. Edhe pse shumë i rëndësishëm dhe rezultativ në shkatërrimin e aksioneve kundërshtare, Broja vuajti disi në organizimin e sulmit. Ndërsa Migjen Basha mund t’i bëjë shumë mirë të dyja fazat e lojës.

Fakti që tashmë nuk është më një djalosh i ri, i jep mundësinë 34-vjeçarit që të qëndrojë para mbrojtjes dhe të ndërtojë aksionet nga shumë poshtë, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Carës apo Zhuniorit.

Gjithashtu, me eksperiencën që ka, Basha mund të jetë shumë efikas edhe në leximin e lojës së kundërshtarit dhe mbylljen e aksioneve të rrezikshme, duke qenë një plus i madh për katërshen e mbrojtjes. Momentalisht, Daja ka provuar Koten e Muratajn para mbrojtjes, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë maksimumin në atë pozicion..

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat