Kombëtarja e Shqipërisë U-17 zhvillon testimet e radhës

Futboll

Kombëtarja e Shqipërisë U-17 zhvillon testimet e radhës

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 11:48
Kombëtarja e Shqipërisë U-17 zhvillon testimet e radhës

Ekipi kombëtar i Shqipërisë U-17 është grumbulluar të mërkurën në Qendrën Sportive Kamëz për të zhvilluar një seancë të ngjeshur stërvitore.

Nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku dhe stafit teknik janë vënë rreth 20 lojtarë, të cilët për më shumë se 90 minuta i janë nënshtruar testeve fizike dhe mini-ndeshjes së kontrollit. Stafi teknik kuqezi ka shfrytëzuar këtë moment, kur thuajse të gjitha skuadrat e moshave të kampionatit shqiptar kanë nisur fazën përgatitore dhe po bëhen gati për të nisur sezonin e ri.

Edhe pse kanë vetëm disa ditë që i janë rikthyer fushës së blertë, lojtarët e ftuar janë impenjuar maksimalisht në këtë seancë, duke treguar përkushtimin e duhur. Tekniku Bulku ka zhvilluar vazhdimisht seanca stërvitore dhe seleksionime me futbollistët e kësaj grup-moshe që aktivizohen në kampionatin shqiptar për të konsoliduar grupin kuqezi.

Duke qenë se Kombëtarja U-17 do të marrë pjesë në fazën e “Qualifying Round” të Europianit U-17 dhe do të ketë përballë në grup rivalë mjaft të fortë si Italia, Skocia dhe Irlanda e Veriut, synimi i stafit teknik është që 17-vjeçarët të jenë në nivelin e duhur fizik para sfidave zyrtare.

Për këtë arsye trajneri Bulku ka kërkuar nga lojtarët që në vazhdimësi të intensifikojnë ngarkesën stërvitore në koordinim të ngushtë edhe me përgatitësi atletikë të klubeve ku ata luajnë. Seanca të ngjashme do të organizohen vazhdimisht edhe në javët në vazhdim sa herë që kalendari i kampionateve do t’i japë hapësira stafit kuqezi për t’u takuar me lojtarët që janë grumbulluar vazhdimisht me ekipin kuqezi në muajt e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat