Endrina Elezaj: Kombëtarja, arritja ime më e madhe

Futboll

Endrina Elezaj: Kombëtarja, arritja ime më e madhe

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 14:34
Endrina Elezaj: Zgjodha futbollin që fëmijë. Kombëtarja, arritja ime më e madhe

Endrina Elezaj duket sikur ka lindur me këmishë në futboll.

E rritur në një familje, ku i ati është trajner në Kosovë, ajo nuk e ka pasur kurrë kompleksin e të luajturit futboll.

Përkundrazi, ka pasur gjithmonë një mbështetje të madhe nga ai, i cili e merrte me vete çdo herë kur shkonte në seancat stërvitore të klubit që drejtonte.

Image

“Kam nisur të luaj futboll që në moshën 6 vjeçare, pasi babi im është edhe trajner futbolli në Kosovë. Fillimisht kam nisur të luaj me grupmoshat, në Klinë të Kosovës, me skuadrën e djemve, sepse për fat të keq nuk kishim një skuadër femrash. Deri në moshën 12 vjeçare kam luajtur me djemtë dhe më pas jam transferuar në Gjakovë”.

Ashtu sikurse thuajse në çdo vend tjetër, ajo është rritur në një qytet ku futbolli i femrave nuk ka qenë parë kurrë njësoj si futbolli i meshkujve. E megjithatë, kjo nuk e ndalonte Endrinën të luante futboll. Rreshtohej në krah të shokëve të saj, me të cilët, edhe stërvitej për fat. “Në qytetin tim nuk ka pasur futboll femrash, madje nuk kishte as femra që luanin futboll. Në aktivitetet që zhvilloheshin në shkollë, unë kam qenë gjithmonë në krah të djemve, pasi më pëlqente të luaja. Me ta isha edhe më e afërt, pasi ishin shokët e ekipit ku stërvitesha”.

Endrina vetë ishte e lirë dhe luftonte për atë që donte. Shprehjet klishe se “futbolli është vetëm për djem” ishin kudo, por i ati dhe jo vetëm, edhe shoqëria e saj, i kanë qëndruar pranë. Talenti i saj mundi çdo paragjykim. “Normalisht që jam gjendur përballë njerëzve që më thonin dhe më gjykonin se pse luaja futboll. Por kam qenë e lirë në zgjedhjen time. Që fëmijë e dija se çfarë më pëlqente dhe çfarë drejtimi doja të merrja në jetë. Babi, si njohës i mirë i futbollit nuk e ka pasur këtë problem. Më thonte gjithmonë të vazhdoja përpara dhe të mos dëgjoja të tjerët, pasi më mjaftonte mbështetja e tij. Edhe shoqëria ime ka qenë një shtysë mjaft e mirë për mua.

Një turne në Gjermani do t’i ndryshonte jetën, pasi do të krijonte kontakt me ekipin e Kinostudios në Shqipëri, që kishte interes ta kishte në radhët e saj. Nuk do t’i thonte jo, duke e konsideruar si një mundësi të artë për të futur këmbët në sallonin e madh të futbollit shqiptar. Një vit do t’i mjaftonte me kryeqytetaset, pasi  një ofertë tunduese nga Vllaznia do ta bënte të transferohej në qytetin verior të Shkodrës. “Kur luaja në Kosovë, me një ekip të vogël të Gjakovës, na njoftuan se do të niseshim në një turne në Gjermani. Pas atij turneu, kisha rënë në sy te drejtuesit e ekipit të Kinostudios, të cilët më bënë ftesën për të qenë pjesë e skuadrës. Pranova, duke e parë si një mundësi shumë të mirë për të qenë edhe më pranë futbollit shqiptar. Qëndrova për gati një vit dhe më pas u transferova tek ekipi i Vllaznisë, ku luajta për dy vite. Një gjysmë sezoni kam luajtur edhe në Gjermani, por për shkak të dokumentave nuk kam pasur mundësi të luaj më tepër, duke u rikthyer sërish te Vllaznia. Nga ekipi shkodran, kam kaluar te Hajvalia në Kosovë, me të cilat edhe jemi kualifikuar në UEFA Champions League, duke shkruar histori në futbollin Kosovar. Prej 4 vitesh gati jam pjesë e Mitrovicës në Kosovë, ku kam kaluar momente të paharrueshme dhe vazhdoj ende të kaloj momente të bukura. Këtu jam si në shtëpinë time, me vajzat dhe stafin jemi një familje e madhe, që përpiqemi përmes harmonisë që kemi si ekip, jo vetëm të fitojmë, por mbi të gjitha të kalojmë mirë”.

Kur pyetet për fillimet me Kombëtaren, Endrina tregon me krenari se si fillimisht ka qenë pjesë e Kombëtares A dhe më pas ka kaluar në ekipet zinxhir të moshave. “Ftesa nga Kombëtarja më është bërë në moshë shumë të re. Kam marrë ftesën nga ekipi i parë në fillim, kur ishte trajner Altin Rraklli, në një grumbullim që zhvillohej në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më pas kam kaluar edhe grupmoshat, fillimisht U-17 dhe më pas U-19”.

Shkëlqimi i dallohet ndër sy kur risjell në mend kujtimet me Kombëtaren, si dhe shprehet se është shumë e lumtur që përfaqëson këto ngjyra. “Nuk besoj se ka shkallë më të lartë në karrierën e një futbollisti sesa ajo e të qenit pjesë e Kombëtares së tij. Përfaqëson një komb, çfarë duhet tjetër? Klubet janë shumë, mund të lëvizësh sa në një ekip në tjetrin. Me ekipin Kombëtar nuk ndodh kështu., përkundrazi, për mua është arritja më e madhe në jetë. Personalisht, jam e kënaqur, e lumtur dhe pafundësisht e dashuruar me këto dy ngjyra që përfaqësoj. Arrin të më kuptojë veç ai/ajo që e vësh këtë fanellë. Sa herë vjen ftesa nga Kombëtarja dhe sa herë të jepet mundësia për të luajtur, është si hera e parë, që nuk do mund ta harroj dot. Që kur u vesha për herë të parë kuqezi, deri kur dola në fushë, këndova himnin dhe preka topin për herë të parë. Emocione jo fort të lehta”.

Marrëdhënien e mirë me stafin e Kombëtares si dhe me shoqet e ekipit e konsideron si faktorin kyç të ngjitjes në një vazo më lart dhe renditjen në vendin e 33-të në klasifikimin e UEFA-s, duke u shprehur se kjo vjen edhe nga puna e mirë që ka bërë Federata e Futbollit me ekipin e vajzave. “Dëgjojmë shpesh të thuhet se puna në ekip sjell frytet e saj.

Ne kemi arritur ta vërtetojmë këtë. Nuk ka pak muaj që ne morëm lajmin se jemi ngjitur në vazon e katërt si dhe jemi të klasifikuara në vendin e 33-të, në renditjen e UEFA-s. Dhe kjo vjen pasi kemi punuar si ekip, kjo vjen pasi përtej fushës, ne jemi shoqe me njëra-tjetrën, vlerësojmë punën e çdokujt, mësojmë dhe mirëpresim çdo element të ri që vjen në skuadër, duke mos e lënë mënjanë. Kemi një trajner që na mbështet dhe një staf që kujdeset për ne në detaje. Besoj se strategjia e Federatës së Futbollit për futbollin e femrave do të sjellë më shumë vajza në futboll, që do të sjellë edhe vajza të reja në Kombëtare. Kemi pasur një mbështetje të madhe dhe kam shumë besim se në pak vite do të jemi shumë më mirë se sa jemi tani”.

Endrina thotë dhe beson se futbolli i femrave ka njohur rritje të madhe që prej kohës që ajo ka nisur të luajë. Nga ekipi i djemve, pasi ekipet e vajzave mungonin, në disa skuadra të tilla tashmë në Kosovë dhe Shqipëri, duke i dhënë mundësi zgjedhjeje; nga loja me vetëm një top, pasi kishte mungesë bazë materialesh, në stërvitje me kushte shumë të mira; nga futbolli veç për pasion, tashmë në futboll edhe për të siguruar jetesën. “Kanë ndryshuar kushtet.

Kanë ndryshuar shumë. Siç e thashë më sipër, unë kam nisur të luaj me djemtë për shkak se nuk kishte ekip vajzash. Ka qenë e vështirë, ndërsa sot, jo vetëm që ka ekipe vajzash, por edhe akademi për ato më të voglat. Nuk kemi pasur bazë materiale, luanim për qejf, për pasion. Thjesht se na pëlqente futbolli. Sot që flasim, paguhemi çdo muaj. Futbolli i femrave ka njohur shumë rritje, si sportivisht, ashtu edhe ekonomikisht”.

Është në prag diplomimi. Futbolli mund edhe ta kishte penguar të ndiqte shkollën dhe ajo mund të justifikohej përpara prindërve dhe tërë njerëzve se dy kunguj nuk mbahen dot nën një sqetull. Por Endrina nuk ia dha këtë mundësi askujt. Punoi fort nga të dyja krahët, edhe në futboll, u rrit shumë sportivisht, por edhe në shkollë, ku studion për Shkenca Sportive, në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. “Kush thotë se nuk bëhen dy gjëra njëherazi, gabon.

Ose thjesht do të justifikohet. Kur isha në vitin e katërt në maturë, isha edhe pjesë e Vllaznisë. E kam marrë shkollën me korrespondencë. Fitova të drejtën e studimit për Shkenca Sportive dhe jam në vitin e fundit të studimeve. Jam lodhur, por ia kam dalë. Asgjë nuk është e pamundur”.

Trajnerja e saj te Mitrovica, Suada Jashari, që ka qenë edhe një nga futbollistet më të mira të Kombëtares shqiptare është mbështetja dhe shembulli që ajo ndjek në këtë fushë. “Suada është mikja ime, përveç se trajnere në ekip. I dëgjoj çdo fjalë, pasi ka qenë dhe është mbështetja ime më e madhe në futboll. Më vjen mirë që kam fatin sot ta kem mentoren time, si dhe që kam qenë pjesë e lojës me vajzat kuqezi, kur Suada ishte në fushë”.

Ashtu sikurse çdo vajzë tjetër, edhe Endrina nuk mund të mos jepte një mesazh për të gjithë prindërit që vazhdojnë të jenë skeptikë në lidhje me dëshirën e vajzave të tyre për të luajtur futboll dhe vajzat që ëndërrojnë të jenë pjesë e kësaj loje. “Paragjykime do të ketë gjithmonë, pavarësisht familjes dhe rrethit shoqëror. Njeriu duhet të ndjekë gjithmonë ëndrrat, e sidomos kur bëhet fjalë për sportin, e në veçanti futbollin. Prindërit duhet ta kuptojnë që së pari futbolli është shëndet, pastaj është një lojë.

Ndërsa vajzat duhet të luftojnë më shumë për ëndrrat e tyre. Fatmirësisht, sot edhe nëse vjen dita të largohesh nga futbolli i luajtur, për shkak se vjen mosha, sërish mund të jesh pjesë e tij, si trajnere, menaxhere, etj. Futbolli nuk të lë kurrë në baltë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat