Modriç: Dëshira ime është që të tërhiqem në Madrid

Futboll

Modriç: Dëshira ime është që të tërhiqem në Madrid

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 11:55
Modriç: Dëshira ime është që të tërhiqem në Madrid

Luka Modriç festoi ditën e djeshme 36-vjetorin e lindjes dhe do ta festojë me rikthimin në “Santiago Bernabeu”. Futbolli i legjendës kroate është diçka që nuk lidhet fare me datat dhe numrat. Mjafton të krahasosh dy foto për të kuptuar formën e tij. Duket shumë më mirë tani që është 36 vjeç sesa kur ishte 26. Diçka e tillë është e qartë kur Modriçin e sheh në fushën e lojës duke bërë presing lart te kundërshtari për të rrëmbyer topin.

Është përkujdesur me përgatitës personalë dhe ka bërë gjithçka në “Valdebebas”. Me muskuj, fin dhe në një gjendje optimale. Është rezistent në çdo ndeshje. Rinovimi për një sezon tjetër me rrogë të reduktuar për t’iu përshtatur realitetit të ri “postpandemi” ishte shembulli konkret se ky futbollist e do skuadrën madrilene.

“Dëshira ime është që të tërhiqem në Madrid”, tha Modriç kur e pyetën në një intervistë në vitin 2014. Shumë legjenda nuk e kanë bërë dot realitet diçka të tillë dhe janë larguar nga Reali.

I fundit ka qenë Zinedin Zidan, por Luka nuk ndalet. Modriç do të luajë në nivel të lartë gjatë gjithë vitit si 36- vjeçar duke sfiduar edhe legjendat e tjera që janë krahasuar me “gjeniun” e Zadarit, Pirlo dhe Ksavi. Italiani fitoi titullin kampion dhe doli nënkampion i Europës në moshën 35-vjeçare dhe mbushi 36 pak përpara finales së Berlinit.

Nga aty shkoi në Nju Jork. Ksavi gjithashtu e vari fanellën me numrin 6 në vitin 2015 kur ishte 35 vjeç, sezoni i tij i fundit me katalanasit. Legjenda e Barcelonës nuk ishte titullar në treshen e formuar nga Buskets, Rakitiç dhe Iniesta. Ai shkoi të luante në Katar.

Asnjëri nuk e ka mbyllur futbollin në nivele të larta. Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë me Modriçin dhe nëse palët do të rinovojnë edhe për më tej, me Botërorin e Katarit në horizont.

Dëshira e Modriçit është të tërhiqet në Madrid, por me Botërorin që luhet për 15 muaj, duket e vështirë që Luka t’i varë këpucët në gozhdë. Kështu që, skenari më logjik është që ai të jetë në Katar në moshën 37 vjeç.

Nëse do të jetë si lojtar i Realit është fantastike, por ndoshta shkon edhe në një ligë më të ulët si ajo amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat