Tirana përballet me Kastriotin

Futboll

Tirana përballet me Kastriotin

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 12:46
Tirana përballet me Kastriotin

Kastrioti për pikën e parë këtë sezon, përballë një Tirane që i duhet të konfirmojë rritjen me një fitore përballë krutanëve.

Në stadiumin e Kamzës bardheblutë e Orges Shehit kërkojnë rikthimin te fitorja, pas ngecjes që pësuan me Egnatian në kampionat. Pavarësisht ankesave për arbitrimin për 25 herë kampionët, ajo ishte një sfidë që shërben si leksion para një ndeshjeje si kjo me Kastriotin.

Trajneri e di mirë që, pavarësisht dy humbjeve të pësuara në dy ndeshjet e para, skuadra e Ndreut përfaqëson një kampionat të vështirë, ku rivaliteti është evident, dhe kryeqytetasve u duhet të japin maksimumin për të marrë tri pikët.

Lajmi i mirë për Shehin është gjendja pozitive e grupit sa i përket atmosferës dhe gjendjes fizike, me teknikun që i ka lojtarët të gatshëm për zgjedhjet më të mira. Te Kastrioti, ndërkohë, Ramazan Ndreu nuk mund të jetë i qetë në vigjiljen e kësaj përballjeje. Dhimbje koke sa i përket formacionit, pasi i duhet të presë deri në fund për të parë nëse disa lojtarë si Greca, Onanuga, Karakaçi apo Prodani do t’ia dalin për të qenë të gatshëm.

Sidoqoftë, për trajnerin e skuadrës krutane kjo është një nga ato sfida ku duhet dhënë gjithçka si grup, për të fituar pikën e parë të këtij kampionati, edhe pse Tirana është një kundërshtare e një tjetër niveli dhe për të tjera objektiva.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat