Sfidë vendimtare me Shqipërinë për vendin e dytë

Futboll

Sfidë vendimtare me Shqipërinë për vendin e dytë

Më: 5 tetor 2021 Në ora: 12:28
Sfidë vendimtare me Shqipërinë për vendin e dytë

Ëndrra e Shqipërisë për të prekur kualifikimin në Kupën e Botës, “Katar 2022”, kalon nga Budapesti. Në 9 tetor kuqezinjtë do të tentojnë të marrin maksimumin ndaj Hungarisë vendase, në “Ferenc Puskas”. Asgjë nuk do të jetë e lehtë, edhe pse Shqipëria fitoi minimalisht në “Elbasan Arena”. Hungaria dhe tekniku Rossi do të vuajnë tri mungesa të rëndësishme, ndërsa një tjetër aspekt pozitiv për kuqezinjtë është se plot 7 lojtarë rrezikojnë skualifikimin ndaj Anglisë, nëse ndëshkohen ndaj kiqezinjëve.

Ndërkohë janë rikthyer Nego Loic dhe Holender Filip, të cilët munguan për shkak të koronavirusit, në shtator, por edhe mbrojtësi, Zsolt Nagy, i cili mungonte në përfaqësuese që prej 2019-ës. Ndërsa emri më surprizë në këtë grumbullim është Balint Vecsei, mesfushori i Ferencvarosit, pasi do të rikthehet në ekipin kombëtar pas 7 vitesh mungesë.

Një ekip i ndërtuar mbi bazën e eksperiencës dhe tekniku italian beson te kjo, sepse në një moment vendimtar, eksperienca është ajo që mund t’i vijë në ndihmë. Adam Szalai, Kevin Varga dhe Gergő Lovrencsics do të mungojnë në Budapest, ashtu siç do të mungojnë tifozëve, pasi takimi do të luhet me dyer të mbyllura, për shkak të ndëshkimit nga FIFA për koret raciste të përdoruara nga tifozëria hungareze ndaj “Tre Luanëve”.

Atmosfera gjithashtu nuk është e mirë tek Hungaria, e cila, në ndeshjet e shtatorit, mori vetëm 3 pikë përballë Andorrës, duke humbur në shtëpi ndaj Anglisë dhë në Elbasan kundër Shqipërisë, por përsëri matematika ia lejon të shpresojë te vendi dytë dhe pikërisht kjo sfidë merr statusin finale e parakohshme.

Në një analizë të thjeshtë, Hungaria ishte një surprizë e bukur e “Euro2020”, duke luajtur si e barabartë ndaj emrave si Franca, Portugalia dhe Gjermania, por në fund “mbeti në klasë”. Në 6 ndeshjet e fundit zyrtare, Hungaria ka arritur të koleksionojë vetëm një fitore, pikërisht atë ndaj Andorrës, 3 humbje dhe 2 barazime.

Pikërisht këto barazime në “Euro2020” rriten ndjeshëm kreditet e skuadrës së Marco Rossit, por, a është momenti që ne të rimendojmë përsëri atë Hungari të Europianit? Statistikat thonë që jo, pasi Hungaria në kualifikuese, nuk ka treguar atë përqëndrim në mbrojtje si në Europian dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatet e tyre.

Hungarezët gjithashtu vuajnë mungesën e finalizimit, pas në tri ndeshjet e shtatorit i shënuan vetëm Andorrës, ndërsa në 7 ndeshjet e fundit zyrtare nuk kanë arritur të mbajnë portën e paprekur, për herë të fundit, ndaj San Marinos 28 marsin e këtij viti.

Një aspekt, të cilin kuqezinjtë do të kërkojnë ta shfrytëzojnë në maksimum, pasi kombëtarja jonë, shënon rregullisht në 7 nga 8 ndeshjet e fundit, me përjashtim të humbjes 0-2 ndaj Anglisë. Gjithsesi, fjala e fundit do të jetë në “Ferenc Puskas”, në një sfidë ku Katari është sa afër aq edhe larg, por asgjë nuk është e pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat