Nedved: Kemi bërë gati diçka speciale

Futboll

Nedved: Kemi bërë gati diçka speciale

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 12:07
Nedved: Kemi bërë gati diçka speciale

Do të jetë një ndeshje spektakolare. Kemi përgatitur diçka speciale për Romën dhe Zhoze Murinjon”. Janë këto fjalë provokim apo jo, i Pavel Nedvedit, zëvendëspresidentit të Juventusit dhe ish-mesfushorit bardhezi, i cili në sezonin 2009- 2010, pasi vendosi që të tërhiqet nga futbolli, refuzoi ftesën që pikërisht “Special One” i kishte bërë, duke i premtuar edhe Ligën e Kampioneve, të cilën e fitoi me zikaltrit, por “Arusha çeke” si juventin në shpirt nuk mundi të tradhtojë.

Pavarësisht kësaj, Nedved tashmë ka rolin e drejtuesit dhe padyshim që me Zhoze Murinjon do të ketë një takim përpara sfidës, një përqafim dhe ndoshta një bisedë të shkurtër për të konsumuar duke kujtuar edhe argumentin e mësipërm, ndonëse në fushën e lojës, për 90 minuta pritet një betejë e ashpër kundër Zhozesë mbi të gjitha, i cili nuk simpatizohet aspak në Torino. “Juventus-Roma është një klasike dhe e vetmja gjë që parashikoj është spektakli në fushë.

Është një duel shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, por përveç futbollistëve që do të ndeshen, përballë njëritjetrit do të jenë edhe dy prej trajnerëve më të mëdhenj në qarkullim, dy tipave të fortë dhe fitues, – vazhdon Nedved analizën e tij, pasi ishte i ftuar në “Sallonin e Librit në Torino”. – Shumë kritika për Juven në dy vitet e fundit? Edhe pse me Sarrin dhe Pirlon nuk patëm dy sezone shumë të bukura, të gjithë harrojnë se në fund ishim ne ata që fituam një titull kampion dhe dy kupa.

Pastaj, është normale që koha bën të vetën dhe ne nuk mund të jemi gjithmonë duke sprintuar. Si kushdo, vjen një moment ku nevojitet një ndryshim, një reflektim dhe pa dyshim që me ardhjen e Alegrit duhej fillimisht të çmontonim ato gjëra që nuk shkuan me Pirlon dhe Sarrin dhe tani na duhet të rikthehemi të vrapojmë, pasi të tjerët kanë nisur sprintin.

Te Juventusi bëhesh i fortë sepse që në fillim mëson që të përballosh presionet, por kur dëgjoj që na sulmojnë sepse gabuam vetëm një sezon, më vjen të qesh, duke qenë se ata që na drejtojnë gishtin janë po ata që në 10 vite duke parë Juven të fitonte gjithçka të mundshme, pa i lënë vend askujt për asnjë trofe.

Çfarë do të thotë Juventus për mua? Një shtëpi, një familje dhe Anjeli mbi të gjitha. Sepse nëse unë jam pjesë e këtij klubi prej 20 vitesh, pa dyshim që duhet të falënderoj vetëm familjen Anjeli për besimin”, tha Nedved.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat