Derbi i madh pa emra të mëdhenj

Futboll

Derbi i madh pa emra të mëdhenj

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 14:22
Derbi i madh pa emra të mëdhenj

El Clasico mbetet El Clasico, edhe pa Messin e Ronaldon, të cilët tani nuk janë më në kampionatin spanjoll, megjithatë rivaliteti mes Barcelonës dhe Realit të Madridit nuk mund të zbehet asnjëherë, qoftë për rrethanat sportive, qoftë për ato politike.

Pasditen e të dielës, dy klubet më të mëdha spanjolle do të “matin forcat” në “Camp Nou”, teksa e veçanta e kësaj përballjeje është se për herë të parë pas 16 vitesh (më 19 nëntor 2005 ka luajtur Messi El Clasicon e parë), nuk do të jetë në fushë as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, dy prej futbollistëve që i kanë dhënë tonin futbollit botëror në më shumë se një dekadë.

Reali është ambientuar tashmë pa portugezin Ronaldo, i cili ka nisur sezonin e tij të katërt larg Madridit, ndërsa katalanët po vuajnë ende tranzicionin “post Messi”, me argjentinasin që vetëm këtë verë vendosi të vijojë karrierën në Paris.

Aktualisht të dy skuadrat kanë zhvilluar nga 8 ndeshje në kampionat dhe kanë vetëm dy pikë diferencë nga njëra-tjetra, me Realin që mban vendin e dytë me 17 pikë dhe Barçën që ka zbritur në të tetin me 15 pikë.

Te katalanët numrin 10 e ka marrë sulmuesi i talentuar Ansu Fati, i cili sapo ka rinovuar edhe kontratën me Barcelonën dhe është projektuar si pjesë qendrore e projektit të klubit “blaugrana”, ndaj të dielën pasdite duhet të dëshmojë se është në lartësinë e duhur për të marrë përgjegjësi mbi supe.

Nga ana tjetër, pavarësisht lëvizjeve të shumta në merkato, Reali ka vuajtur jo pak gjetjen e pasuesit të Cristaino Ronaldos, megjithatë misionin e dërgimit të topit në rrjetë e ka marrë tashmë veterani francez, Karim Benzema, i cili po impresionon me shifrat e tij, pasi ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 8 ndeshje të kampionatit.

Po kush do ta vendosë “El Clasicon” e të dielës? Pak rëndësi, ka, sepse Barcelona-Real Madrid premton një 90-minutësh spektakolar, të cilin mund ta ndiqni vetëm në ekranin e Supersport 2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat