Vashat e Kombëtares A të gatshme për sfidën kundër Belgjikës

Futboll

Vashat e Kombëtares A të gatshme për sfidën kundër Belgjikës

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 21:35
Vashat e Kombëtares A të gatshme për sfidën kundër Belgjikës

Para ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Australia&Zelanda e Re”, kundër Kombëtares së Belgjikës, Dardanet mbajtën stërvitjen e fundit, të përkushtuara dhe me një angazhim maksimal, në mënyrë që në këtë ballafaqim të nxjerrin më të mirën.

Gjatë seancës stërvitore përzgjedhësja Afërditë Fazlija dhe shtabi teknik, provuan disa prej taktikave të lojës, duke u bazuar edhe në lojën e belgeve.

Po ashtu ushtruan edhe gjuajtjet e lira, ato nga këndi si dhe mbrojtjen e fortë dhe kundërsulme të shpejta. Atmosfera është mjaft e mirë, ndërsa gjendja shëndetësore e futbollisteve është e mirë. Para ndeshjes kundër Belgjikës e cila do të zhvillohet nesër më 21 tetor në orën 20.00, futbollistet u shprehen të gatshme për të dhënë më të mirën.

Kombëtarja A u prit nga ambasadori Asrtit Zemaj

Sot gjatë ditës ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel z. Astrit Zemaj mirëpriti Kombëtaren A, i cili duke iu dëshiruar mirëseardhje dhe suksese në ndeshjen e së enjtes ndër të tjera tha: “Shumë gjenerata para jush e kanë dëshiruar dhe kanë pasur qëllim final për një vend në evenimentet evropiane e botërore siç themi ne diplomatët ta kemi një ulëse aty ku e meritojmë. Ju jeni ambasadore të Kosovës gjithandej. Unë besoj që ju në këtë ndeshje do të jepni më të mirën e mundshme”.

Ndërkaq në emër të FFK-së dhe presidentit Agim Ademi, Ambasadorin Zemaj dhe stafin e ambasadës për mikpritje i ka falënderuar Valbona Gashi-Uka, menaxhere e ekipit kombëtar, e cila mes tjerash u shpreh: Kam kënaqësinë që në emër të presidentit të FFK-së z. Agim Ademi dhe stafit ekipit, të ju falënderoj për mikpritjen, kohën që keni ndarë dhe mbështetjen e vazhdueshme që na keni dhënë”. Ambasadorin e falënderuan edhe përzgjedhësja Afërdita Fazlija si dhe kapitenia e ekipit Edona Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat