Kryesojnë Apolonia dhe Tirana

Futboll

Kryesojnë Apolonia dhe Tirana

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 17:45
Kryesojnë Apolonia dhe Tirana

Kampionati i femrave është rikthyer të luhet sërish këtë fundjavë, pas periudhës së shkëputjes së lojës për shkak të ndeshjeve të ekipeve Kombëtare.

Kjo javë e tretë mori udhë në stadiumin “Roza Haxhiu”, aty ku Partizani mundi me manita ekipin e Lushnjes. Kryeqytetaset ishin dukshëm më superiore, teksa golin e avantazhit e shënuan në minutën 18-të me Mesuare Begallon. Të kuqet realizuan edhe dy herë të tjera me Locin dhe Xhebrahimin, duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 3-0. Në fraksionin e dytë, Begallo katërfishoi shifrat, ndërsa për golin e pestë mendoi Bleona Koka. Me fitoren 0-5 në transfertë, Partizani ngjitet në vendin e katërt me gjashtë pikë, ndërsa Lushnja renditet në vendin e shtatë me 3 pikë.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Atletik Klub fitoi me rezultatin 6-2 kundër Tirana AS. Një ndeshje që prodhoi jo vetëm gola, por edhe lojë të bukur dhe mjaft emocione. Ishin shkodranet ato që kaluan të parat në avantazh me Iris Armokun, e cila shënon dopietë në minutat 7-të dhe 22. Kryeqytetaset kundërpërgjigjen shumë shpejt, duke shënuar dy gola të shpejtë në harkun kohor të tre minutave. Ishte Xhaferaj ajo e cila ngushtoi rezultatin në minutën e 26-të, ndërsa Banushi barazoi shifrat në minutën e 29-të. Një gabim i Xhaferaj nga ana e bluve do të kalonte sërish në epërsi Atletik Klub, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Shpella do të dërgonte shifrat në 4-2. Me fillimin e pjesës së dytë, Iris Armoku shënon edhe dy gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 6-2. Atletik Club me këtë fitore shkon kështu në kuotën e katër pikëve, ndërsa Tirana AS renditet e fundit me 0 pikë, me një ndeshje më pak.

Këtë të diel janë zhvilluar edhe tre sfidat e tjera. Kinostudio mori një tre pikësh me vlerë në kryeqytet kundër Skënderbeut, teksa kaluan në avantazh që në minutën e 10-të me Neme Obogo, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës do të dyfishonte shifrat Cyme Lulaj. Kjo ishte fitorja e parë për kryeqytetaset në këtë sezon të ri, të cilat radhiten në vendin e gjashtë me tre pikë, ndërsa Skënderbeu me vetëm një pikë në vendin e nëntë.

Tirana ka mundur në transfertë Teutën, ku ka fituar me shifrat 0-6. Durrsaket gabojnë që në minutën e 7-të, teksa një gol i Duros do të kalonte në avantazh kryeqytetaset. Bardheblutë shënojnë edhe dy herë të tjera në 45 minutat e para me Alijaj dhe Metallën. Në pjesën e dytë, tiranaset shënon edhe tre herë të tjera, me Daniela Kodrën, Goron dhe Gjonin. Pas javës së tretë, Tirana renditet me 9 pikë të plota në vendin e dytë, ndërsa Teuta numëron 0 pikë pas tre javësh.

Apolonia ka shkatërruar me rezultatin 10-2 Murlanin. Valentina Troka dhe Egzona Gashi realizuan nga tre gola për fieraket, teksa, Liridona Gashi dhe Klea Hamonikaj vulosën nga një dopietë. Dy golat për verioret i shënuan Anela Vishkulli dhe Rosela Vasa. Apolonia kryeson pas javës së tretë me 9 pikë, po aq sa Tirana, ndërsa në vendin e tretë renditet Vllaznia me 6 pikë dhe me një ndeshje më pak.

Renditja pas javës së tretë:

Apolonia 9

Tirana 9

Vllaznia 6

Partizani 6

Atletik Club 4

Kinostudio 3

Lushnja 3

Murlani 3

Skënderbeu 1

KF Teuta 0

Tirana AS 0

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat