Sarri i beson Strakoshës dhe Hysajt

Futboll

Sarri i beson Strakoshës dhe Hysajt

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 14:31
Sarri i beson Strakoshës dhe Hysajt

Lacio do të luajë sot sfidën e katërt të Europa League ndaj Marsejës në transfertë. Skuadra italiane barazoi në sfidën e kaluar, ndërsa në këtë ndeshje kërkon të marrë me çdo kusht fitoren për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit.

Për këtë ndeshje trajneri Sarri ka vendosur t’i besojë nga minuta e parë 3 shqiptarëve, Strakoshës, Hysajt dhe Muriqit. Portieri i Kombëtares është titullar në Europa League dhe sot do të luajë nga minuta e parë. Për Hysajn nuk do të ketë pushim pasi do të rreshtohet në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Muriqi do të marrë vendin e Imobiles, i cili do të lihet pushim.

Sulmuesi italian është i dëmtuar e për këtë arsye te Lacio nuk duan të rrezikojnë, por do t’i japin shansin e radhës Muriqit që deri më tani ka zhgënjyer me paraqitjet e tij. Por jo vetëm te Lacio, në Poloni, skuadra e Legias, do të presë italianët e Napolit.

Muçi me shumë mundësi do ta nisë titullar sfidën, ashtu si në takimin e parë në Napoli, ku shqiptari ishte rreziku kryesor i repartit sulmues të Legias. Ndërsa Jurgen Çelhaka pritet që ta nisë nga stoli këtë takim. Në arenën europiane Legia, po ecën mirë, ku kryeson me gjashtë pikë në një grup me skuadra të forta si Leistër, Napoli dhe Spartaku i Moskës.

Ndërkohë, Myrto Uzuni, i cili po kalon një formë të shkëlqyer te Ferencvaroshi dhe nuk po ndalet së shënuari, do të jetë në mbrëmje në fushë kundër skocezëve të Sëlltikut. Edhe pse skuadra hungareze nuk ka arritur të marrë akoma fitoren e parë në grup, kjo edhe për shkak të skuadrave të forta që është përballur, si Leverkusen, Betis apo Sëlltik.

Gjithashtu, sot, mbrojtësi i Kombëtares, Enea Mihaj, pritet që të jetë titullar me skuadrën e Paokut, ku do të përballen në Greqi ndaj danezëve të Kopenhagenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat