Ofrojmë 200 milionë për një lojtar

Futboll

Ofrojmë 200 milionë për një lojtar

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 13:49
Ofrojmë 200 milionë për një lojtar

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka gjetur rastin për të kritikuar ashpër dy prej klubeve më të pasura në planet, Paris SG-në dhe Mançester Sitin dhe pse jo klubin më të fundit milioner, Njukasëll.

Ndonëse ka përdorur një gjuhë diplomatike në komentet e tij, numri një i Realit të Madridit ka qenë i qartë. Si shembull, presidenti i Realit ka marrë ndodhitë më të fundit në merkato, ku ai ka parë që një klub si PSG-ja t’i refuzojë një ofertë prej 200 milionë eurosh për sulmuesin Kilië Mbape.

Edhe pse në vitin e fundit të kontratës me klubin parisien, shefi i këtij klubi, Naser Al Kelaifi, ka refuzuar ofertën marramendëse të Madridit për sulmuesin e kombëtares franceze.

“Ne përpiqemi të përmbushim detyrimet tona dhe të realizojmë objektivat që kemi, për të sjellë në ekip lojtarët më të mirë.

Natyrisht që përpara se të afrosh një lojtar duhet të kesh mundësitë financiare për ta afruar në ekip, por mund të ndodhë edhe që të ofrosh 200 milionë euro dhe të të refuzojnë.

Kur lojtarët janë në përfundim të kontratave të tyre është momenti i duhur për të bërë biznes, por aktualisht në futbollin europian janë shtuar shumë klubet e zotëruara apo të mbështetura financiarisht nga shtete dhe ata janë të vendosur të mos shesin asnjë lojtar”, ka thënë Perez. Kuptohet qartë se për këtë e ka fjalën presidenti i Realit, që i referohet pikërisht klubeve të zotëruara nga miliarderët e gjirit Persik.

RREZIKU – Por, Perez ka vijuar dhe më tej duke lëshuar alarmin se Paris SG-ja, Siti e Njukasëlli mund të mos jenë ekipet e vetme që do të zotërohen nga shtete. “Për mua, menaxhimi i një klubi është gjëja kryesore.

Nuk duhet të fokusohemi vetëm te paratë që vijnë nga çdo cep i botës. Mos harroni se herët a vonë do të vijë dita që 30 klubet më të mira në Europë do të jenë në pronësi të shteteve. Ky nuk është principi i Bashkimit Europian dhe unë do të luftoj për këtë”, ka thënë Perez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat