Që kur Leicesteri fitoi titullin në 2016, ata e kanë pasur të vështirë ta thyejnë Çelsin dhe kanë humbur 7 herë në 14 përballje në të tria kompeticionet në Angli.
Por gjërat ndryshuan disi sezonin e shkuar, kur skuadra e Brendën Roxhersit fitoi në shtëpi në Premier Ligë dhe pastaj edhe në finalen e Kupës FA.
Këtë sezon, blutë e Londrës vijnë në këtë duel si kryesues, ndërsa “Dhelprat” e shohin veten në gjysmën e poshtme të klasifikimit.
Në konferencën për shtyp, trajneri i kampionëve të Europës, Thomas Tuchel, dha lajmin e mirë se Romelu Lukaku është shumë pranë rikthimit pas dëmtimit në kavilje kundër Malmos në Ligën e Kampioneve.
Por sulmuesi belg do ta humbasë ndeshjen e sotme. Ai ka shanse të vogla që të mund të rikthehet për Juven në mesjavë ose për Junajtidin në kampionat.
“Romelu është shumë pranë rinisjes së stërvitjes me ekipin kështu që shpresojmë që ai t’i bashkohet skuadrës të dielën e ardhshme. Të shohim se si do të shkojë”, tha tekniku gjerman.