Skënderbeu frenon kampionët e Teutës

Futboll

Skënderbeu frenon kampionët e Teutës

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 15:57
Skënderbeu frenon kampionët e Teutës

Barazim spektakolar në Kamzë mes Teutës dhe Skënderbeut, që e mbyllën 2-2 përballjen mes tyre. Ndeshja e tretë radhazi pa fitore në Abissnet Superiore për kampionët në fuqi, që ndajnë vendin e tretë me Vllazninë me nga 13 pikë, ndërsa skuadra e Migen Memellit, që tentoi deri në fund fitoren, merr një pikë me vlera për objektivin mbijetesë dhe renditet në vend të parafundit me 7 pikë.

Të parët kaluan në avantazh korçarët. Ishte minuta e 19-të kur Jean Victor krosoi nga krahu i majtë dhe Alfred Mensah dërgoi topin në trekëndësh falë një goditje fantastike me kokë. Goli i tretë sezonal në Abissnet Superiore për sulmuesin me origjinë nga Gana.

Kampionët e Edi Martinit reaguan dhe barazuan sfidën me një gol tepër të bukur pa u mbyllur pjesa e parë. Asist i Kallakut dhe gjuajtje potente e Lorenco Vilës (36’), i cili më parë dribloi Dwoumfour në zonën e Skënderbeut.

Teuta e filloi pjesën e dytë njësoj siç mbylli të parën. Sërish Lorenco Vila autori i golit (48’), që u konfirmua edhe nga VAR-i. Durrsakët e ulën disi ritmin pas avantazhit, ndërsa Skënderbeu nuk u dorëzua dhe nisi sulmet drejt portës kundërshtare.

Elvi Berisha pretendoi për penallti, por Enea Jorgji gjykoi se sulmuesi anësor i Skënderbeut ishte në pozicion të parregullt, pasi pa rastin në monitorin e VAR-it.

Skënderbeu nuk u demoralizua dhe ia doli të gjejë golin e barazimit me anë të Melos Bajramit (78’), i cili kishte pak çaste që ishte futur në fushë. Mbrojtësi dardan shfrytëzoi një kros të ardhur nga goditja e dënimit, kërceu më lart se mbrojtja vendase dhe dërgoi me kokë topin në rrjetë.

Të dy skuadrat u hapën, tentuan golin e fitores në minutat e mbetura, gjuajtja fantastike e Kallakut u ndal nga Rexhepi, teksa as 7 minutat shtesë nuk prodhuan më gola dhe Teuta e Skënderbeu ndanë nga një pikë në sfidën e fundit të fazës së parë.

Teuta-Skënderbeu 2-2 (L.Vila 36′, 48′ / Mensah 19′, Bajrami 78′).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat