Edhe një trajner tjetër e refuzon Manchester Unitedin

Futboll

Edhe një trajner tjetër e refuzon Manchester Unitedin

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 16:05
Cristiano Ronaldo

Erik Ten Hag e ka hedhur poshtë mundësinë për t’u emëruar trajner i ri i Manchester Unitedit, duke thënë se është plotësisht i përqendruar te ekipi i vet Ajax dhe se dëshiron të fitojë shumë tituj me të.

Unitedi e shkarkoi Ole Gunnar Solskjaerin nga posti i trajnerit të dielën në mëngjes, pas humbjes turpëruese 4:1 kundër Watfordit të shtunën.

Djajtë e kuq janë në kërkim të një trajneri të ri dhe Ten Hag është përfolur si kandidat i mundshëm së bashku me Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettino.

I pyetur nga ESPN nëse ka mundësi të emërohet trajner i Manchester Unitedit, Ten Hag tha: “Unë jam i përqendruar në ekipin tim”.

“Ne e kemi një ekip të shkëlqyer dhe kemi shumë për të arritur. Ne duam të luftojmë për tituj. Unë jam i përqendruar te Ajaxi, gjërat e tjera janë shpërqendrim për mua”, shtoi ai. 

Para Ten Hag, edhe Zinedine Zidane – i cili është i lirë që prej se u largua nga Real Madridi në maj – nuk ka shprehur gatishmëri për ta udhëhequr Unitedin, pasi po e pret Kombëtaren e Francës dhe Paris Saint-Germainin. 

Trajneri i PSG-së Mauricio Pochettino mbetet kandidati kryesor dhe më i mundshëm për ta marrë drejtimin e Unitedit. 

Unitedi konfirmoi se ndihmëstrajneri i Solskjaer, Michael Carrick, do të jetë në krye të ekipit përkohësisht, derisa klubi ta emërojë një trajner të përhershëm.

Në korrik Solskjaeri kishte nënshkruar marrëveshje të re me kohëzgjatje deri në vitin 2024, por u shkarkua pasi i humbi pesë prej shtatë ndeshjeve të fundit në Premierligë.

Solskjaer e la Unitedin në vendin e tetë në Premierligë me 17 pikë nga 13 ndeshje, 12 pikë larg liderit Chelsea.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat