Njësoj si Roberto Carlos

Futboll

Njësoj si Roberto Carlos

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 14:25
Njësoj si Roberto Carlos

David Alabës po i “bëhet ves” të shënojë në ndeshjet vërtet të rëndësishme. Lojtari që u transferua verën e kaluar te Reali i Madridit po bëhet gjithnjë e më vendimtar për Los Blancos. Pas golit në El Klasikon e La Ligas, kundër Barcelonës, mbrëmjen e së mërkurës erdhi një tjetër finalizim në Champions League. Një goditje dënimi ndaj Sherif Tiraspol që e bën të hyjë në librat e historisë së klubit.

Në fakt, austriaki që një sezon më parë luante për Bajernin e Mynihut është mbrojtësi i parë i Realit që ja del të shënojë me një goditje dënimi. I fundit që ja ka dalë të shënjestrojë në këtë mënyrë portën për madrilenët ka qenë një ikonë e vërtetë e goditjeve të dënimit, Roberto Karlos në vitin e largët 2004.

Alaba po hyn gjithnjë e më në perfeksion në mekanizmat e skuadrës së Ancelottit, duke bërë të mos ndihet mungesa e Sergio Ramos, jo vetëm në fazën mbrojtje, por tanimë edhe për sa i përket realizimit.

Për sa i përket ecurisë në Champions League, ndërkohë Reali i Madridit, siguroi kalimin e parakohshëm në fazën e 1/8, ashtu si dhe Interi që në ndeshjen e fundit mes tyre do të luajnë për vendin e parë në grup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat