Hysaj humb gjyqin me Napolin

Futboll

Hysaj humb gjyqin me Napolin

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 20:19
Hysaj humb gjyqin me Napolin

Elseid Hysaj do të përballet sot me Napolin për herë të parë si kundërshtar i klubit ku ka kaluar një pjesë shumë të rëndësishme të karrierës së tij. Por para kësaj sfide, për futbollistin shqiptar ka ardhur një lajm i keq nga drejtësia sportive pikërisht për një gjyq që kishte me Napolin, pasi e ka humbur atë dhe do të duhet t’i paguajë një shifër të majme ish-klubit.

Gjithçka ka lidhje me protestën e lojtarëve të Napolit pas ndeshjes së humbur në Ligën e Kampioneve ndaj Salcburgut në vitin 2019, kur klubi vendosi që lojtarët të shkonin në grumbullim.

Futbollistët e Napolit i dolën kundër këtij vendimi dhe sfiduan drejtuesit, duke u larguar drejt shtëpive të tyre. Napoli u vendosi gjoba, por lojtarët e kundërshtuan dhe çështja shkoi në gjyq, me vendimin për Elseid Hysajn që ka qenë i pari.

Klubi ka bërë të ditur se Kolegji i Arbitrazhit Sportiv ka njohur si të drejtë vendimin e Napolit për të gjobitur lojtarët pasi ata nuk kanë ndjekur një urdhër. Klubit i njihej e drejta ashtu si trajnerit që të caktonte grumbullime të ekipit, si punëdhënës që është dhe meqë bëhej fjalë për të qëndruar në ambientet e klubit. Një gjë e tillë nuk cilësohej si “ndëshkim”, ashtu siç justifikoheshin futbollistët.

Kështu, duke përllogaritur përqindjet e rrogave që janë vendosur si gjoba, Elseid Hysaj duhet të paguajë 40 mijë euro në arkat e klubit të Napolit pasi ka humbur këtë gjyq. Pritet që të njëjtin fat të kenë edhe të gjithë lojtarët e tjerë të Napolit, pasi presidenti Aurelio De Laurentis ka deklaruar se nuk do të kursejë asnjë prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat