Nexhipi flet për eksperiencën e tij te Ballkani​​​​​​​

Futboll

Nexhipi flet për eksperiencën e tij te Ballkani​​​​​​​

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 17:52
Nexhipi flet për eksperiencën e tij te Ballkani​​​​​​​

Nderim Nexhipi është një emër që nuk e dëgjojmë shpesh së fundmi sepse ai është tashmë pjesë e Ballkanit në Kosovë. Drejtori sportiv i klubit nga Suhareka ka folur gjatë për “Panorama Sport” ku ka treguar rreth eksperiencës së re dhe “të vjetër” te Kukësi, si dhe ka analizuar këto 10 javë të para të Superiores. Ai ka rezerva për Partizanin dhe tregon pretendentët kryesorë për titullin.

Si po shkon eksperienca juaj e re te Ballkani?

Arritët kreun e Superligës dhe jeni në garë për titullin. Pas tri viteve shumë të mira te Kukësi, m’u dha mundësia të vij në Kosovë në një ekip shumë të organizuar si Ballkani, me një president, i cili investon shumë në vitet e fundit në futboll. Pa dyshim që më pëlqeu projekti në fillim dhe vendosa ta pranoja ofertën e tyre. Është një eksperiencë e re sepse është kampionat krejt ndryshe. E kemi nisur mirë, jemi momentalisht në krye të tabelës, por që është një kampionat me 4-5 ekipe pretendente për titullin dhe do të jetë garë shumë e fortë deri në fund.

Ishit pranë titullit me Kukësin parvjet, por në fund nuk ia arritët. Sezonin pasardhës skuadra kishte një rënie. Çfarë nuk shkoi?

Te Kukësi kam pasur tri vite të shkëlqyera, pa marrë parasysh sezonin e fundit, ku ndryshuan shumë gjëra dhe nuk ecëm siç jemi mësuar ta shohim Kukësin. Dy sezonet e para kemi pretenduar të fitojmë titullin dhe besoj se para dy viteve, ndeshja ndaj Tiranës ka qenë shumë kyçe. Po të kishim fituar, do të ishim shumë pranë titullit. Kemi pasur ekipe të shkëlqyera, me lojtarë me kualitet të madh dhe ndikimi më i madh ka qenë që gjatë këtyre tri viteve kemi luajtur jashtë Kukësit. Ky është edhe handikapi më i madh i periudhës sime si drejtues atje.

Gjithmonë janë ndryshe gjërat nëse luan në stadiumin tënd. Ndeshjen kyçe që e kishim ndaj Tiranës, që vendoste pak a shumë destinacionin e titullit, ne vendosëm ta luanim në “Air Albania” me Tiranën, ku pa dyshim ata kishin më shumë tifozë dhe ishte si një ndeshje në shtëpi e tyre. Na u kthye, siç dihet, tashmë rezultati. Prapë e theksoj, nëse do kishim luajtur në Kukës, do të ishte shumë ndryshe.

Si ju duket Kukësi i këtij sezoni?

Duket se janë kthyer në nivelin e dy edicioneve më parë, kur ju ishit pjesë e tyre. E ndjek kampionatin shqiptar sepse kam vite i lidhur me Kategorinë Superiore. Të them të drejtën, Kukësi ka punuar shumë mirë dhe kanë bërë ndeshje të mira. Kanë ndryshuar shumë lojtarë në boshtin e tyre, sidoqoftë kanë kualitet dhe do të rivalizojnë Tiranën në krye.

Flasim pak edhe për Partizanin, me të cilin keni luajtur dhe keni fituar shpejt dashurinë e tifozëve. Si e shihni skuadrën e Ilir Dajës në këtë sezon?

Partizani nuk është në gjendjen më të mirë. Edhe pse kanë trajnerin Ilir Daja për të dytin sezon, kanë pasur disa largime të lojtarëve kryesorë si Asani apo Çinari. Nuk kanë filluar mirë dhe si njeri që e ndjek futbollin, mendoj se Partizani deri më tani, jo vetëm sipas meje, por edhe sipas opinionistëve të tjerë në Shqipëri, ka dështuar. Gjithsesi, e fituan ndeshjen e fundit dhe ndoshta do të arrijnë kthesën e madhe, që tifozëria e pret shumë.

Fituan ndaj Teutës. A mendoni se do të ndiqet nga triumfe të tjera radhazi apo Partizani do të ngecë sërish?

Me ardhjen e Dinamos çdo javë po kemi derbi dhe kampionati po bëhet shumë më interesant. Është fakt që Partizani e fitoi me shumë fat ndeshjen e fundit, sidoqoftë ekipi ka treguar karakter duke besuar deri në fund që mund të arrinin përmbysjen. Është vetëm faza e parë që ka mbaruar. Nëse duan ta bëjnë kthesën, duhet të fitojnë ndeshje pas ndeshjeje dhe të fitojnë pikë sa më shumë pikë sepse kanë luajtur me shumë oshilacione këtë vit.

“Demat” shënojnë pak gola, mendoni se është çështje finalizimi apo problem në pasin e fundit?

Kur gjërat nuk shkojnë, edhe lojtarët futen nën presion dhe nuk janë mësuar ndoshta. Po e vuajnë finalizimin sepse nuk kanë shënuar shumë. Përveç Zhuniorit, Cara gjithashtu po rritet ndeshje pas ndeshjeje, nuk kanë ndonjë sulmues apo alternativë më shumë. Normalisht, kjo ndikon te ta dhe në merkaton e janarit ndoshta do të bëjnë ndërhyrje.

Folëm për defektet e Partizanit, që i ka pasur kryesisht në sulm. Mendoni se një lojtar i tipit tuaj u mungon të kuqve?

Patjetër që 10-shi apo fantazisti është rol shumë i rëndësishëm në skuadër dhe kjo i mungon Partizanit sepse në lojën e tyre nuk është se shohim shumë kreativitet, nuk ka një lojtar që të jep pasin e fundit dhe e nxjerr sulmuesin në shans për gol. Kjo i duhet dhe këtë pjesë po e vuajnë shumë gjithashtu.

Numrat 10 janë një element në “zhdukje” në futboll. Është ky një problem apo e shihni thjesht si pjesë e evoluimit të futbollit?

Mendoj se është pjesë e evoluimit sepse tani të gjithë lojtarët në fushë marrin urdhra nga trajnerët që edhe të mbrojnë, më tepër po kërkohen lojtarët “box to box”. Për fat të keq, po zhduket numri 10.

A shihni sadopak një lojtar të ngjashëm me ju në tri ligat që “flasin” shqip?

I përcjell të tria ligat sepse na interesojnë lojtarët që luajnë në vendet fqinje. Kallaku më pëlqen për rolin që bën edhe pse iku në Kroaci dhe kishte probleme e u rikthye. Pres shumë nga ai, është lojtar që e ka pasimin e fundit dhe mund ta bëjë.

Tirana dhe Vllaznia duken gjithashtu të forta këtë sezon. Cila mendoni se është skuadra për t’u mundur? Cila ka arritur të krijojë organikën më të mirë?

Mendoj se Tirana ka treguar se ka bërë ekip shumë cilësor, kanë bërë merkato shumë të mirë, kanë një lojtar si Taulant Seferi, i cili mendoj se është sulmues që bën diferencën në Superiore. Mendoj se kanë ekip shumë të mirë dhe deri në fund do të jenë pretendenti kryesor aty për titullin. Pa larguar asgjë për Vllazninë, që kanë një bosht shumë të mirë dhe trajner entuziast e kërkues. Edhe pse nuk kanë pasur ecuri në javët e fundit, mendoj se edhe ata do të afrohen me kreun. Edhe ata kanë marrë një lojtar të jashtëzakonshëm si Liridon Latifi, që nga ndeshja në ndeshje po nis të bëjë diferencën.

Ndër të tjera keni luajtur në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjithashtu, keni punuar si drejtor sportiv në Shqipëri dhe tashmë në Kosovë. Cili prej këtyre vendeve ka ligën më të fortë?

Pa dyshim Shqipëria është në nivel më të lartë. Ka ekipe cilësore, por ajo që e bën më shumë diferencën në këto tri liga është infrastruktura. Në Shqipëri është ngritur në një nivel të jashtëzakonshëm dhe pa dyshim që kjo e bën ndryshimin. Sa i përket Superligës së Kosovës, mendoj se ata vijnë pas Shqipërisë sepse edhe këtu ka ekipe që kanë lojtarë shumë të mirë në radhët e tyre dhe kanë presidentë që investojnë shumë në futboll dhe kjo pa dyshim është diçka e mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat