Luhet futboll në 3 zona, përfundon faza e parë në Shkodër

Futboll

Luhet futboll në 3 zona, përfundon faza e parë në Shkodër

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 11:37
Luhet futboll në 3 zona, përfundon faza e parë në Shkodër

Edicioni i dytë i kampionatit të futbollit amator 5×5 që ka nisur që prej muajit tetor dhe që organizohet nga Departamenti i Futbollit Amator në Federatën e Futbollit vijon të zhvillojë me sukses aktivitetin e tij në disa zona të Shqipërisë.

Vetëm në zonën e Tiranës, kampionati është i organizuar në gjashtë grupe, teksa bien në sy skuadrat Tirana 5×5, Çermenika, Sony AD dhe Kalçeto Ademi që nuk kanë pësuar asnjë humbje dhe që kryesojnë grupin me pikë të plota që nga nisja e kampionatit. Ndërkaq, në grupin e parë ATS ka marrë vendin e parë, ndërsa në grupin 5, Çamëria është kryesuesja aktuale.

Sakaq, kampionati po zhvillohet edhe në zonën e Durrësit, ku të apasionuarit pas kësaj loje janë të shumtë. Në dy grupet e kësaj zone, pas javës së pestë skuadra e KS 1 është kryesuese e grupit A, ndërsa Sallmani SC renditet e para në grupin B.

Ky kampionat është i shtrirë edhe në zona të tjera, teksa në zonën e Elbasanit ka përfunduar java e katërt, me AMG Plan Studio që ka marrë katër fitore në po kaq ndeshje, ndërsa në Shkodër është mbyllur me sukses këtë javë faza e parë e kampionatit, me KF Air Albania që ka marrë 5 fitore në 5 javë të zhvilluara. Faza e dytë në këtë zonë pritet të nisë nga muaji janar.

Gjithashtu, po nga muaji i ardhshëm pritet të nisë kampionati edhe në zonën e Lezhës, Fierit dhe Korçës, ku përveç pasionit për futbollin, skuadrat që do të shpallen kampione do të kenë të garantuara fushën e lojës, uniformat dhe topat e lojës si dhe ndeshjet do të gjykohen nga arbitra profesionistë dhe do të ketë mjekë. Skuadra e renditur e para në kampionat rajonal merr si shpërblim 75.000 lekë të reja, ndërsa vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë të reja dhe 5 topa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat